Dy dekada pasi plumbat i morën jetën Azem Hajdarit, partia të cilën ai themeloi ka hyrë në një epoke të re, atë të Lulzim Bashës, pasi vendimit të këtij të fundit për të dëbuar nga grupi parlamentar Sali Berishën.

Përplasja e ashpër dhe ndarja e thellë mes kryetarit dhe ish kryetarit u reflektua edhe në ceremoninë përkujtimore të liderit të dhjetorit , pasi për herë të parë në 23 vite Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në përkujtimoren e organizuar nga Partia Demokratike.

Lulzim Basha ishte i rrethuar nga 6 drejtues te rinj demokrat, si nga mosha dhe nga pesha historike, ndërsa materialin e shpërndare nga zyra e shtypit për media e shoqëronte me një mesazh bashkimi për demokratët.

Sali Berisha mungoi fizikisht në event, por virtualisht ai e cilësoi ngjarjen e 12 shtatorit të 1998-tës si vrasjen e shekullit me autor qeverinë socialiste të asaj kohe, ndërsa i bëri thirrje demokratëve të frymëzohen nga guximi i Azem Hajdarit për të larguar jo vetëm Edi Ramën, por edhe Lulzim Bashën që e etiketoi si veglën mjeranë në kryeministrit në krye të PD-së.

Mungesa e dytë që nuk kaloi pa renë në sy këtë 12 shtator ishte ajo e familjareve të Azem Hajdarit. E bija Rudina edhe ajo e përjashtuar dikur nga Lulzim Basha , nuk la pa thumbuar krizën e krijuar në partinë që i ati themeloi pas luftës që Sali Berisha i ka shpallur Lulzim Bashës.

RUDINA HAJDARI: Kur i sheh sot të ankohen për mungesë demokracie brenda partive të tyre, të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht. Të qeshësh sepse janë viktima perfekte të krijesave të tyre dhe të qash për nivelin e hipokrizisë që shfaqin. Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politikisht dhe ekonomikisht.

Figurën e Azem Hajdarit e përkujtoi edhe Presidenti Ilir Meta, ndërsa në këtë dite historike për të djathtën përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar ka ndarë demokratët në dy grupe.

Top Channel