Kush po gënjen për votimin? LSI dhe PBDNJ deklarojnë 5 vota kundër Nikollës. Në kuti u gjetën vetëm 4

11/09/2021 19:52

Për matematikën e politikës shqiptare 2+2 nuk bëjnë 4 por bëjnë edhe 5-së. Zgjedhja e Lindita Nikollit në krye të parlamentit me 79 vota 2 prej të cilave nga opozita ka prodhuar reagime nga kampi opozitar për të hequr nga vetja emërtimin “tradhtar”.

Për Lindita Nikollën në kuti u gjetën katër vota kundër. Ndërsa pjesa dërmuese e votave te opozitës u grisën dhe u hodhën jashtë kutisë. Pas daljes e rezultatit, të parët që u kujdesën mos të etiketoheshin si vota pro Ramës në parlament ishin katër deputetët e LSI.

Askush prej tyre nuk foli vetë por përmes zyrës së shtypin thanë se 4 votat  ishin kundër. Të njëjtën gjë bëri një ditë më pas nga votimi edhe Vangjel Dule aleati i Bashës, futur në listën e PD por që nuk e grisi votën siç bëri grupi parlamentar demokrat.

“Vota ime ishte kundër kandidaturës së zonjës Nikolli”, thotë Vangjel Dule.

Por këtu nuk dalin llogaritë se me deklarim publik janë pesë vota kundër zgjedhjes së kryetares së re të kuvendit. Ndërsa në kutinë e votimit u gjetën vetëm katër vota kundër. Kush po gënjen?

Një nga katër deputetët e LSI, apo Vangjel Dule.

Të vërtetën e di vetëm ai që hodhi votën pro ndërsa kishte urdhër se do të votonte kundër. Kjo tregon shumë se çfarë mund të ndodhë së shpejti në gjirin e opozitës e cila e nisi këtë legjislaturë në kuvend me shumë probleme.

Përçarje mes vetes, PD dhe LSI kanë prishur marrëdhënien. Përçarje brenda PD për shkak të dëbimit të Berishës, por s fundmi edhe diversione që tregojnë se në të ardhmen vota e opozitës do ketë rrjedhje drejt Edi Ramës.

Top Channel