“Rama-Basha pakt i fëlliqur!”/Kreu i PD: Rama, armik i Shqipërisë! Kryeministri: Dorën e kemi të shtrirë!

10/09/2021 11:22

Legjislatura X e Kuvendit të Shqipërisë nisi me tensione politike, kësaj radhe jo vetëm mes opozitës dhe maxhorancës, por edhe mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, pas vendimit për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur i vendosur se në seli mund të hyjë kur të dojë edhe pse kreu i PD-së, Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar.

Ai thekson se përjashtimi i tij ka ardhur si pasojë e kompromisit Rama-Basha, por e kundërshton duke deklaruar qartë se vijon të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD.

”Do marrë çdo nisëm brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Si të shihni, unë jam anëtar i grupit parlamentar i PD. Vendimi, kompromisi Rama-Basha është nul, s’ka mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale në pazaret mbrapa shpine ndaj një force politike. Në çdo kohë mund të hyj në selinë e PD dhe të jeni të sigurtë që do jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, të gjithë vendosmërinë, legjitimitetin, për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës dhe pazareve të fëlliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”, tha Berisha.

Ai gjithashtu u prit nga simpatizantë të shumtë të cilët kanë fyer Bashën dhe mbështetur liderin historik të PD-së.

Ish-kryeministri Sali Berisha para simpatizantëve

Kryedemokrati preferoi të shmangte simpatizatët e Berishës, i shoqëruar nga Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi dhe hyrë në portën anësore të Kuvendit.


I pyetur nga gazetarët nëse ishte e vërtetë akuza e Berishës se ka një bashkëpunim Rama-Basha, ai ka kundërshtuar duke e quajtur Ramën armik të Shqipërisë.

“Shqipëria ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama”, tha Basha.

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë komunikimit për mediat

Basha nuk pranoi të përgjigjet për një tentativë për shkarkimin e tij dhe as pyetjes nëse ka pasur presion për të përjashtuar Berishën.

Kryeministri Edi Rama në një komunikim për mediat  u shpreh se  dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit.

Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit me mediat

“ Ne vijmë në këtë kuvend për mandatin e 3 me dorën e shtrirë e kam thënë unë këtë, pa e ditur si do shkonin gjërat në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit , të borxheve që i kemi njerëzve”, tha Rama.

I pyetur nëse ka pazare mes tij dhe Bashës, ai ka preferuar të mos përgjigjet.

“Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve dhe te jem i qetë dhe i butë me ju.Po s ‘ndodhi do jete gabimi im. E kuptoni sa e madhe është sfida jonë, hallet e njerëzve , PD e ka të pamundur të shohë nga lart poshtë se ndryshe humb horizontin dhe perspektivën, në do shohim para kush të dojë le të vijë. Trishtime dhe gëzimet janë evenimente të rëndësishme për njeriun që t’i shpërdorojë për politike”, tha Rama.

Top Channel