Kuvendi i ri, me nivel mesatar/ Deputetja më e vjetër është 79 vjeç tek PS. Më e reja, 22 tek PD

09/09/2021 19:53

Performanca qesharake e shumë deputetëve te legjislaturës së shkuar ngre pyetjen se çfarë cilësie do të ketë parlamenti i ri. Afrim Krasniqi drejtor i Institutit të Studimeve Politike dha këtë koment për Top Channel.

“Nëse ne e krahasojmë me parlamentet e tranzicionit dhe nevojat që ka Shqipëria, ky është një nga parlamentet që reflekton një nivel mesatar të prezantimit. Ka shumë prurje të individëve pa CV politike dhe ka shumë individë që në jetën e tyre nuk kanë arritur të bëjnë diçka të tillë që u jep atyre besimin publik se janë të aftë të miratojnë ligje në fushat përkatëse. Kështu është një parlament i tranzicionit nuk është një parlament që bën dallimin nga tranzicioni”.

Një studim i ISP për përfaqësimin zonal se nga vinë deputetët tregon se nëse ne parlamenti i vitit 1991 Tirana kishte 45 nga 250 deputetë, pra 18% të të gjithë parlamentit, në parlamentin e 2021 Tirana de facto përfaqësohet me 85 nga 140 deputetë, pra me 61% të të gjithë parlamentit.

Të ndarë sipas gjinisë në parlamentin e ri do të ulen 31 deputete femra dhe 109 meshkuj.

Deputetja me moshën më të madhe është socialistja Luljeta Bozo ndërsa me moshën më të demokratja 22 vjecare Andia Ulliri.

Nga një skanim I CV-ve të 140 deputetëve të rinj dominojnë ata me profesionin e juristit gjë e cila lë shpresë për më shumë ligje cilësore. Në grupin parlamentar socialist ka 23 deputetë që kanë studiuar për ekonomi ndërsa ekonomistët deputetë demokratë janë 12.

PS e ruan traditën duke sjellë në parlament edhe 5 deputetë mjekë ndërsa në grupin e PD ata që kanë lënë bluzat e bardha për të ushtruar detyrën e deputetit janë 6.
Nuk do ti mungojnë parlamentit edhe deputetët me profesione të mëparshme në inxhinieri, veterineri, ish ushtarakë. Nga media ulen në parlament si deputetë dy gazetarë.

Afrim Krasniqi thotë se presioni ndërkombëtarëve detyroi të lërë jashtë parlamentit persona me të shkuar kriminale por ky mision nuk është përmbushur plotësisht.

“Në përbërjen e parlamentit të ri përsëri ka individë me rekorde kriminale sidomos rekorde korruptive. Nëse marrim jo vetëm parimin e dekriminalizimit por edhe të integritetit politik një pjesë e parlamentit nuk i plotëson standardet e integritetit”.

Top Channel