Në lupën e BE, Shqipëria dhe Serbia mund të humbasin statusin e vendeve të sigurta

08/09/2021 12:20

Përkeqësimi i situatës epidemiologjike ka bërë që Shqipëria dhe Serbia të rrezikojnë të humbasin statusin e vendeve të sigurta nga pandemia e koronavirusit.

REL ka mësuar nga burimet e saj brenda BE-së se, se Presidenca sllovene e Bashkimit Europian i ka përfshirë të dy vendet në mesin e shteteve që rrezikojnë të hiqen nga lista e vendeve të sigurta për udhëtimet në territorin e bllokut europian.

Për këtë çështje do të diskutohet të mërkurën nga ana e ambasadorëve të vendeve anëtare. Nëse ata vendosin pro kësaj mase, atëherë qytetarët shqiptarë dhe serbë nuk do të jenë më në gjendje të udhëtojnë pa kufizime në vendet e BE-së. Brukseli e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta.

Vendimet e tij i bazon në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për kokë banori, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të gjendjes.

Në 30 gusht, BE-ja zyrtarisht hoqi Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nga lista e “vendeve të sigurta”, për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e COVID-19.

Ndërkohë, TIA njoftoi se të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë nga Tirana duhet të jenë të pajisur me pasaportën e vaksinimit me dy javë të kaluara nga data e imunizimit; ose me testin Antigen apo me PCR –në dhe duhet të kalojnë 10 ditë në karantinë.

Top Channel