BE “njeh” talebanët: Marrëdhënie me regjimin e ri, edhe pse pragmatike!

04/09/2021 13:11

Ministrat e Jashtëm të BE, gjatë takimit në Brdo të Sllovenisë dolën me një qëndrim të përbashkët në lidhje me talebanët.

“Kemi rënë dakord për kërkesa minimale që ata duhet t’i plotësojnë për një angazhim operues të europianëve me pushtetarët e rinj”, tha shefi i diplomacisë europiane, Joseph Borrell.

“Afganistani ka rëndësi për sigurinë tonë”, theksoi ai duke u shprehur se ndër të tjera bëhet fjalë që të pengohet eksportimi i terrorizmit dhe drogës. Gjermania dhe Franca kishin përgatitur një dokument në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm, por dukej se ujdia ishte e qartë që në fillim.

Duhen mbajtur „kontakte pune” me talebanët, theksoi ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, duhet punuar me vendet fqinjë të Afganistanit dhe duhet penguar nje krizë e re e emigracionit. Kjo ishte edhe çështja që shqetësonte më shumë ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, që kërkoi një qëndrim të qartë të përbashkët.

Sipas shefit të diplomacisë gjermane, Heiko Maas bashkëpunimi do të varet nga një sërë kushtesh. Përveç kësaj, kërkesa evropiane është që qeveria e re të jetë përfshirëse, por diplomatët pranojnë, se aty me siguri nuk do shihen shumë gra. Ndoshta BE duhet të jetë e kënaqur me përfshirjen e pakicave si Hazaratë apo lordët e mëparshëm të luftës.

Top Channel