Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë për infermierin Nikolin Ciko.

Mësohet se gjykata ka caktuar masën arrest me burg për 43 vjeçarin, i cili akuzohet si autor i dy vjedhjeve të ndodhura në farmacinë e Spitalit rajonal të Korçës në datën 8.03.2021 dhe 30.08.2021.

Ciko vodhi një sasi të konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, të cilat shërbenin për kurimin e pacientëve me covid-19.

Në dëshminë e tij para uniformave blu, tha se i ka vjedhur ilaçet për arsye borxhesh, duke shtuar se ka edhe një kredi për të shlyer.

Pikërisht në një skemë të tillë mashtrimi për kurimin e koronavirusit ishte përfshirë vjet 43 vjeçari ku u ofrohej shërbim në shtëpi pacientëve kundrejt një pagese prej 5000 lekësh në ditë, përveç ilaceve që shkonin deri në 100.000 lekë.

Ciko bënte rolin e mjekut dhe përcaktonte diagnoza e lëshonte receta. Ai u denoncua nga një grua, nëna e së cilës ishte mjekuar prej tij për Covid por më pas u zbulua se kishte një tjetër sëmundje.

Zonja rrëfente se ishin disa miq të saj që i rekomanduan infermierin. Familja nuk donte që të sëmurën ta dërgonin në spital për arsye se urgjenca ishte e tejmbushur me njerëz që kishin nevojë për mjekim. Prandaj infermieri i shërbente pacientes në shtëpi kundrejt pagesës prej 5000 lekësh në ditë.

Mirëpo në recetën e ilaçeve të plotësuar nga infermieri përveç antibiotikëve, kortizon dhe disa medikamente të tjera nuk rezultonte të kishte asnjë emër mjeku apo pacienti. Zonja thoshte se e gjithë kura për mamanë e saj me gjithë shërbimin e infermierit kushtoi 4000 lekë në ditë dhe në përfundim totali i parave të paguara ishte 100.000 lekë, por gjendja shëndetësore e nënës të saj nuk kishte përmirësim. Familjarët filluan të dyshonin për infermierin edhe nga fakti që ai i shërbente të sëmurës pa veshjen përkatëse kundra infektimit nga virusi Covid 19, dhe në këto kushte i bënë të sëmurës një skaner. Rezultati që doli nga skaneri tregon se pacienti nuk ishte infektuar nga virusi Covid-19, por nga një bakter tjetër dhe se mjekimi që deri më tani zonja kishte marrë nuk kishte qenë i rregullt. Fatmirësisht, pacientja nuk kishte pasoja, por nuk përjashtohej mundësia që mund të kishte pasoja të mëdha keqmjekimi. Në këto kushte e bija e saj kërkonte nga Fiksi që të demaskohej ky infermier që mos ta pësonin edhe familjarë të tjerë si ajo.

Në këto kushte Fiksi kërkoi takim me infermierin duke ju prezantuar si familjarë të një të sëmuri. Ai ju tha se ofronte shërbim në shtëpi dhe i njihte shumë mirë skemat e mjekimit. Ai u thoshte se nuk ishte e nevojshme që pacientit t’i bëhej skaner, por vetëm analiza. Në bazë të tyre nëse një bakter del në përqindje të lartë duhet të fillonin menjëherë mjekimin. Infermieri i thoshte Fiksit se pagesa ishte 50 mijë lekë të vjetra në ditë dhe mjekimi ishte i shtrenjtë. Përsa i përket shërbimit në shtëpi infermieri thoshte se mund ta kryente në çdo kohë duke u shkëputur nga puna e tij në spital, madje ai shkonte edhe më tej kur pohonte se mund t’i çonte pacientit në shtëpi sanitaret e spitalit që t’i shërbejnë nëse ai do të ishte me banim në Korçë.

Ndërkohë për veshjen thoshte se vjen me tuta si çun shtëpie.

Gazetarët e Fiksit shkuan të takojnë infermierin të cilin e pyetën për recetën e të sëmurit. Ai e mohonte ta kishte lëshuar recetën duke ju thënë që nuk ishte shkrimi i tij në atë recetë. Ai të sëmurit vetëm i ka injektuar ilaçet dhe se ka parë një grafi të të sëmurit që rezulton i infektuar me Covid-19. Për ilaçet infermieri u thoshte gazetarëve se të sëmurit ja kishte dhënë doktoreshë Diana që është pneumologe. Gazetarët në prezencë të infermierit telefonuan doktoreshë Dianën e cila mohonte ta kishte vizituar pacientin e jo më t’i jepte mjekimin. Ndërkohë doktoreshë Diana thoshte se pacientit në fjalë i kishte skanerin, por mjekimin e kishte marrë përpara se të kryente skanerin. Pas mbylljes së telefonatës me doktoreshë Dianën, infermieri u tha gazetarëve të Fiksit se nuk i kishte marrë pagesë të sëmurit, por gjithçka e kishte bërë për ta ndihmuar. Më pas ai kundërshtonte veten e tij duke pranuar se kishte marrë pagesë sepse edhe ai kishte familjarët e tij për të mbajtur. Gazetarët e pyetën nëse ai kishte lënë punën në spital për t’i shërbyer në shtëpi të sëmurit, infermieri e mohoi. Ndërkohë ai tregonte se kishte qëndruar në makinë kur qytetari kishte hyrë në farmaci për të marrë ilaçet dhe recetën nuk e kishte parë fare.

Fiksi u interesua edhe tek farmacisti i cili pranonte që i kishte dhënë ato ilaçe, por recetën nuk e kishte. Për ta ndihmuar gazetarët i dhanë datën dhe emrin e pacientes, por as me këtë ndihmë ai nuk e gjeti duke u shprehur “recetat i ka ekonomistja”.

Për këtë problem Fiksi pyeti edhe Skënder Bratajn , shef i Urgjencës Kombëtare. Brataj shpjegoi se qytetarët mund t’i drejtohen në tre mënyra sistemit shëndetësor, por gjithmonë duhej që pacienti të orientohej në sistem. Ai mohoi kategorikisht se Covid-19 mund të dallohej me grafi, po ashtu nuk mundet që një infermier të përcaktojë mjekimin. “Gjithmonë mjekimin e përcakton mjeku, infermieri ekzekuton atë që mjeku shkruan”, theksonte Brataj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA