Plehrat “mbysin” jugun e Italisë: “Kemi vetëm një vit kohë”!

03/09/2021 21:35

Pas një viti e gjysmë, fushat e plehrave në jugun e Italisë do të mbushen plot, ndërkohë që për veriun e vendit, duhen ende edhe 4 apo 5 vjet që të mbërrihet pika e ngopjes.

Shumë shpejt, nuk do të ketë më vend për miliona tonelata mbeturina që hedhin përvit italianët. Këtë tregoi një studim i fundit, i cili, duke u mbështetur në udhëzimet e Bashkimit Europian, llogarit që deri në 2035-tën duhen ricikluar 65% e plehrave.

Hedhja e tyre nëpër fusha, nuk duhet të kapërcejë 10%. Në Itali prej kohësh, malet me plehra janë djegur nëpër cepa rrugësh. Problemi i plehrave e ka pllakosur prej vitesh jugun e vendit, ku deri përpara një dekade ricikloheshin vetëm 8% e plehrave. Shpesh pas tyre fshihen bosët e mafias e Camorrës, të cilët më pas marrin një shpërblim të majmë për punën e kryer.

Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve mund të ketë përfitime të mëdha mjedisore. Studimi tregon se reduktimi i tyre do të eliminonte 3,7 milionë tonelata emetimesh të dioksidit të karbonit.

Top Channel