Edi Rama me shpalljen e emrave të kabinetit të tretë qeverisës, ndoqi traditën e dy qeverive të mëparshme të shpallura përpara asamblesë kombëtare. Shpalosja e ekipit te qeverisë Rama 3, pa u mbledhur ende kuvendi i ri është më shumë një veprim taktik, për ti vënë në dispozicion presidentit Ilir Meta, kohën e nevojshme në advancë, për tu njohur e hulumtuar të përzgjedhurit e krye-socialistit Rama.

Por çfarë pritet të ndodhë më pas?

Presidenti Ilir Meta e hodhi hapin e tij të parë konformë kërkesës së kushtetutës për ta mbledhur kuvendin e ri më 10 Shtator.

Hapat vijues i takojnë të ndërmerren nga fituesi 74 mandateve në zgjedhjet e 25 Prillit, Partia Socialiste e cila duhet ti dërgojë presidentit kërkesën për mandatimin e kryeministrit.

Është neni 96 i kushtetutës që përcakton se presidenti emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Top Channel nga burime brenda PS ka mësuar se kërkesa në drejtim të presidencës nuk ka mbërritur ende.

Të njëjtat burime theksuan se PS nuk pse ngutet, në një kohë kur ka shumicën e padiskutueshme në kuvend.
Me të gjitha gjasat do të jetë numri dy i PS, i sapozgjedhuri në këtë post Damian Gjiknuri i cili do të dërgojë mbase personalisht ose përmes postës kërkesën në presidencë.

Me mandatimin e kryeministrit nga Presidenti, i pari qeverisë së re i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Paçka se është kryeministri që i dërgon për dekretim ministrat, fjalën e fundit e thotë kreu shtetit i cili në të shkuarën në rastet e Sandër Lleshajt dhe

Gent Cakajt, pati hezitim në lëshimin e dekreteve, që shënoi edhe piknisjen e përplasjes së madhe me partinë socialiste e cila e propozoi dhe e çoi Ilir Metën në presidencë.

Shumica e ministrave të kabinetit të propozuar Rama 3 ka marrë dekretime të mëparshme nga presidenti përveç Ulsi Manjës, Frida Krifcës, Delina Ibrahimit, Edona Bilalit, Bora Muzhaqit.

Por a do ta vijojë sjelljen e muajve të fundit si një president Danez, Ilir Meta në raport me Edi Ramën?

Testi do të jetë dekretimi ministrave të rinj në një kohë kur në të shkuarën vetë Ilir Meta me zë dhe figurë, nuk ka nguruar të denoncojë e të kërkojë hetim të thelluar për dosjen e 184 të Dibrës, ku në një përgjim të prokurorisë është edhe i propozuari për ministër drejtësie Ulsi Manja.

Top Channel