Talebanët i bënë thirrje luftëtarëve të grumbulluar në bastionin e Lugines së Panjshirit të ulin armët, e kjo pikërisht në kohën kur lëvizja opozitare arriti të zmbrapsë disa sulme të ashpra të tyre.
Lugina e rrethuar nga malet, e ndodhur 80 km në veri të Kabulit, është kthyer në xhepin më të rëndësishëm të rezistencës për grupet e armatosura anti-talebane. Fronti Kombëtar i Rezistencës, NRF, përfshin milici anti-talebane dhe ish forca afgane të sigurisë. Ata janë betuar ta mbrojnë enklavën deri në pikën e fundit të gjakut.
“Vëllezërit e mi, ne bëmë gjithë çfarë mundëm për ta zgjidhur problemin e Panjshirit me bisedime, por më kot. Tani që ato kanë dështuar dhe muxhahedinët tanë kanë rrethuar Panjshirin ka ende njerëz brenda tij që nuk duan problem. Ju takon juve të flisni me ta e t`i thoni që boll me luftime”, i tha popullit të Panjshirit zyrtari i lartë taleban Amir Khan Muttaqi. Ish ministro afgan i mbrojtjes Bismillah Khan Mohammadi, pohoi se talebanët kishin ndërmarrë një tjetër sulm mbrëmjen e se martës, por ishin mposhtur.
“34 prej tyre u vranë e 65 u plagosën. U tërhoqën me humbje të mëdha. Njerëzit tanë nuk duhet të shqetësohen”, u shpreh ai. Banorë e luftëtarë në Panjshir, shumë prej të cilëve i kanë luftuar talebanët edhe kur ishin në pushtet në vitet 2000, përcollën një mesazh sfidues.
Banori: Ne jemi gati ta mbrojmë këtë vend deri në pikën e fundit të gjakut. Të gjithë kanë një armë në krah. Nga më i riu tek më i vjetri, jemi të përgatitur për rezistencë.
Top Channel