Delina Ibrahimi, e cila ishte në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është vendosur të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, post të cilin e mbante Anila Denaj. Rama vendosi që Denajn ta emërojë sekretare për Burimet Njerëzore të PS.
Delina Ibrahimi është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin Bocconi të Milanos, ku më pas ka përmbyllur me sukses edhe Masterin Shkencor për Menaxhim. Në vitin 2015 ka mbrojtur Doktoraturën për Menaxhim të Bankave dhe Financave në Universitetin e Romës, Tor Vergata.
Ibrahimi gëzon një ekspertizë të thelluar në analizë ekonomike dhe statistikë, ndërtuar gjatë përvojave të punës në Bankën e Shqipërisë mes viteve 2010-2015, në Kryeministri si Koordinatore për krijimin e një sistemi të integruar të informacionit dhe statistikave operacionale qeveritare, gjatë periudhës 2015-2016.
Nga Nëntori 2016 deri në Korrik 2019, Ibrahimi ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave (INSTAT).
Ibrahimi ka njohuri dhe përvojë të suksesshme në menaxhimin e projekteve, ndërveprim me donatorë e aktorë të tjerë institucionalë të fushës, si dhe aftësi të spikatura në organizim e raportim financiar, në sajë edhe të eksperiencës së saj në menaxhimin e sektorit privat.
Ibrahimi ka kontribuar si autore apo bashkëautore në botime dhe studime të rëndësishme në fushat e ekonomisë dhe financës.
Ibrahimi është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.
Top Channel