Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka komentuar letrën e dërguar kryeministrit Albin Kurti, nga Partia Demokratike e Kosovës rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Vitia tha se që nga fillimi kanë qenë të hapur për bashkëpunim edhe me partitë opozitare, por potencoi se bashkëpunim është edhe kur nuk përhapen dezinformata për vaksinat dhe afatin e tyre, duke iu referuar deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kishte kritikuar Qeverinë për blerje të vaksinave me afat të skaduar.

“Ne natyrisht e përshëndesim çdo thirrje edhe nga opozita që të kyçet në këtë çështje, sepse është çështje që na përket të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallime politike, pa dallime të nacionaliteteve, pa dallime të asnjë lloji. Ne e kemi parë në disa adresime edhe në Parlamentin e Republikës por jo vetëm kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur për bashkëpunim. Kjo është betejë e përbashkët ashtu siç e thash sepse të gjithë jemi në rrezik. Si ministër këtë bashkëpunim e kam promovuar, por jo vetëm unë e gjithë qeveria Kurti edhe gjatë qeverisë Kurti I, por natyrisht bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohet puna e qeverisë së Republikës, bashkëpunim është edhe atëherë  kur nuk pengohet Ministria e Shëndetësisë për të kryer punën siç duhet dhe sidomos bashkëpunim është edhe kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre edhe duke respektuar masat e qeverisë”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës një ditë më parë i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një letër duke i ofruar përkrahje për të ndryshuar Ligjin për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë COVID-19.  Madje kryetari Memli Krasniqi kërkoi edhe nga Kuvendi që t’i ndërpresë pushimet dhe t’i rikthehet punës.

Top Channel