Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale.
Borrell i bëri komentet në një përgjigje me shkrim në pyetjen e deputetëve të Parlamentit Evropian, e cila i referohet, siç thuhet në titull të pyetjes, “mungesës së koherencës në përfaqësimin ligjor të Kosovës”.
“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor [të Kosovës]”, tha Borrell.
Ai konfirmoi se autoritetet e Kosovës janë të interesuara që Kosova të mos përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale.
“BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA [Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore] kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”, tha Borrell.
Ai kujtoi se pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012 në dialogun Kosovë-Serbi, “Kosova merr pjesë dhe flet vetë në forumet rajonale”, me kusht që tek emri i saj të vendosë një fusnotë.
Fusnota nënkupton: “Ky emërtim është pa paragjykim mbi pikëpamjet lidhur me statusin [e Kosovës] dhe është në harmoni me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Një takim i ri midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paralajmëruar për në shtator.
Top Channel