Oktapodët femra i gjuajnë me guaska meshkujve që ‘i bezdisin’ (fotot)

30/08/2021 20:53

Pasi janë zbuluar kohët e fundit që “godasin peshqit me grushte” pa arsye, oktapodët janë parë gjithashtu që gjuajnë me objekte ndaj njëri-tjetrit për të shfaqur irritimin e tyre.

Duke përshkruar sjelljen e pazakontë në një studim të ri, studiuesit thonë se kafshët lëshojnë objekte me forcë ndaj individëve të veçantë, çka tregon për inteligjencën e tyre të pazakontë dhe dinamikat komplekse të sjelljeve sociale.

Këto “shfryrje emocionale” të oktapodëve janë regjistruar në kamera fillimisht në brigjet e Australisë në 2015. Fillimisht studiuesit nuk ishin të sigurtë nëse goditjet me objekte ishin të qëllimshme apo aksidentale, por analizat më të thella shuan çdo dyshim.

“Oktapodët e egër në Australi shpesh qëllojnë me guaska, gurë, rërë apo alga, duke i lëshuar relativisht me forcë me krahët e tyre”, shkruajnë autorët.

“Këto lëshime ndodhin në kontekste të ndryshme, duke përfshirë bashkëveprimin me kolegë të species së tyre. Në një prej rasteve një oktapod përdorte tentakulën e tij per të lëshuar një guaskë me të gjithë forcën, që e goditi në kokë individin tjetër”, shkruanin ata.

Oktapodët femra kishin më shumë gjasa të qëllonin të tjerët me objekte, teksa në shumicën e rasteve sjellja ishte një akt agresioni ndaj sjelljes irrituese të meshkujve.

Një prej femrave u vëzhgua që lëshonte disa herë rërë ndaj një mashkulli që tentonte të çiftohej me të.

“Këto prova tregojnë se goditjet e qëllimshme të oktapodëve janë në funksion të ndërveprimit shoqëror dhe seksual. Në disa raste ata janë parë dhe duke lëshuar objekte në hapësirën e zbrazët, si një mjet zbrazjeje të zhgënjimit të tyre,” shkruajnë autorët.

Një mashkull për shembull shihej të lëshonte guaska në drejtime të pacaktuara, duke ndryshuar ngjyrë e duke përshpejtuar frymëmarrjen, pas refuzimit nga një femër.

Sjellja është një provë e aftësive të veçanta konjitive të oktapodëve.

FOTO GALERI
3/3
Një prej femrave u vëzhgua që lëshonte disa herë rërë ndaj një mashkulli që tentonte të çiftohej me të.

Top Channel