U shfrytëzua 57% e garancisë sovrane/ Do të ketë edhe një fazë të tretë, fokusi do të jetë turizmi dhe fasonët

24/08/2021 19:44

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket disbursimit të garancive sovrane.

Shihet se nga Garancia e parë ku shteti mbulon 100% riskun e moskthimit të kredisë si dhe paguan interesat, bizneset kanë tërhequr vetëm 5.9 mld lekë nga 11 që është totali në dispozicion. Këto kredi mund të merreshin nga bizneset që kishin vështirësi me shlyerjen e pagave të punëtorëve, por vetëm 54% e fondeve është tërhequr.

Ndërkohë nga Garancia e dytë sovrane e vënë në dispozicion nga qeveria për bizneset që donin të kryenin investime apo të kishin më shumë kapital qarkullues shuma e tërhequr është në vlerën e 8.9 mld lekëve nga 15 që ishte totali.

Garancisë së dytë iu bë edhe një zgjatje afati nga qeveria deri në qershor, por bizneset nuk morën më shumë kredi gjatë kësaj periudhe. Bizneset shpesh janë ankuar se kriteret për të marrë kredinë kanë qenë shumë të vështira dhe ato janë trajtuar si përballë një kredie normale, gjë e cila ka vështirësuar aksesin në këto fonde.

Nga të dhënat e analizuara shihet se sektorët që kanë pasur më shumë nevojë për kredi kanë qenë ato  të tregtisë, prodhimit, shërbimeve dhe ndërtimit.

Një përllogaritje e të dhënave nga Open Data tregon se shuma e akorduar për të dyja paketat me total 26 mld lekë është në masën 1.2% të GDP-së. Nëse bizneset nuk do të kenë fuqinë për t’i shlyer këto kredi atëherë shteti do detyrohet t’ia shtojë këtë faturë financiare borxhit publik në masën 2.1%.

Në fund të dhjetorit qeveria i ka paguar bankave të nivelit të dytë rreth 37.5 milionë lekë në interesa nga Garancia e parë sovrane, të kategorizuara në buxhet si borxh për shërbime.

Qeveria është në fazë konsultimi edhe për një tjetër garanci sovrane në masën e 78 milionë eurove. Kjo paketë e ardhshme shihet si strategji për të zhvilluar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla dhe kryesisht do përqendrohet në sektorët fasonë dhe turizmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA