Putin: Nuk i marrim afganët, mes refugjatëve ka edhe militantë!

23/08/2021 13:23

Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se konflikti në Afganistan e prek drejtpërdrejtë situatën e sigurisë në vendin e tij.

Shefi i Kremlinit, thotë Reuters, e kritikoi idenë e disa vendeve perëndimore për të dërguar refugjatë nga Afganistani në vendet fqinjë të Azisë Qendrore teksa vizat e tyre për në SHBA dhe Europë, janë në proces shqyrtimi.

Si qenka kjo, në vende të tjera që janë fqinjët tanë, refugjatet nga Afganistani mund të dërgohen pa viza ndërsa Perëndimi vetë pa viza nuk i merr? Përse kjo qasje kaq poshtëruese për zgjidhjen e problemit?”, është shprehur ai. Putin, i cituar nga agjencia e lajmeve RIA, e bëri të qartë se Moska nuk dëshiron që militantët afganë të mbërrijnë në tokën ruse te maskuar si refugjatë.

Teksa disa vende perëndimore po mundohen të evakuojnë me çdo kusht persona të dëshpëruar nga Afganistani, Rusia i lavdëroi më herët talebanët duke thënë se ata po rikthejnë rendin në vend. Sipas kreut të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, krerët talebanë i janë përmbajtur deri me tani premtimeve të tyre përfshirë këtu amnistinë e kundërshtarëve e cila në fakt, nuk po respektohet.

Top Channel