Vetëm në 24 orët e fundit, policia e Kosovës ndëshkoi me gjoba 722 qytetarë për mosrespektim të masave antiCovid, në kohën kur vendi po përballet me një hov të ri infektimesh.
“Evidentimi i rasteve të reja të infektimit me koronavirus ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente”, thuhej në njoftimin e saj.
Sot në vend hynë në fuqi masat e reja, me të cilat qeveria ndalon dasmat dhe festat me shumë pjesëmarrës, mbyll klubet e natës ndërsa vendos dhe një seri kufizimesh të tjera, ndër të cilat dhe hyrja në mjetet të transportit publik pa maskë.
Një ditë më parë, mikrobiologu Lul Raka shpjegoi se varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe dhe është më i transmetueshmi deri më sot, me një përqendrim gati 1000 herë më të lartë në zgavrat e hundës dhe të gojës e kjo bën që përhapja e tij të jetë dhe më e madhe.
Top Channel