“Afganistani, jo strehë për terroristët”/ Macron flet për situatën e re. Merkel kritike për mision e 2 dekadave: S’ishte aq i suksesshëm

16/08/2021 23:06

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se operacioni ushtarak në Afganistan, i udhëhequr nga SHBA-ja, ka arritur më pak rezultate sesa që ishte planifikuar.

“Misioni arriti të ndalojë Al-Kaedën që të mos përsërisë sulmet e saj të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, por gjithçka tjetër që ka pasuar nuk ka qenë aq e suksesshme dhe nuk është arritur në mënyrën që ne kishim planifikuar”, u tha Merkel gazetarëve.

“Është e tmerrshme për miliona afganë që kishin punuar për një shoqëri më të lirë dhe të cilët, me mbështetjen e komunitetit perëndimor, janë përqendruar në demokracinë, në arsim, në të drejtat e grave”, tha ajo.

Mësimet duhet të nxirren nga operacioni dy-dekadësh, tha Merkel, duke shtuar se në misione të tillë mbase duhet vendosur qëllime më të vogla.

Ndërkohë Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të bëjë gjithçka që është e mundur në mënyrë që Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa t’i përgjigjen bashkarisht situatës së re në Afganistan, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.

Ai tha se militantët islamikë do të shikojnë mundësinë e përfitimit nga trazirat në Afganistan.

“Afganistani nuk duhet të bëhet strehë për terroristët siç ishte dikur”, tha Macron, i cili e quajti gjendjen në Afganistan si “një sfidë për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, kundër një armiku të përbashkët”.

Top Channel