Pogradec – Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia pasi falsifikonte pasaporta, leje drejtimi, kartela punësimi dhe leje kalimi për në shtetet e huaja.
Forcat blu ushtruan kontroll në banesën e tij dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, pas një hetimi disa mujor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të falsifikimit të dokumenteve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Emigranti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. J., 49 vjeç, banues në Pogradec”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë vijojnë hetimet për identifikimin dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i akteve të gjendjes civile”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”.
Top Channel