6 vatra zjarri janë ende aktive në të gjithë territorin e vendit, por nuk paraqesin rrezik për qytetarët dhe banesat. Ky është njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes, në lidhje me situatën e zjarreve.

Mbrojtja bën me dije se gjatë natës janë riaktivizuar dy vatra zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Mësohet se efektivë të FA, të zjarrfikëses, shërbimit pyjor e bashkisë po punojnë për shuarjen e flakëve.

Edhe në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar një vatër zjarri, duke djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Aktualisht vatra vazhdon me intensitet të ulët dhe strukturat janë në ndjekje të situatës.

Në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Ditën e sotme ka filluar përsëri operacioni nga ajri dhe me forcat në terren. Situata është në monitorim.

Po ashtu një zjarr ka rënë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë. Zjarri është shumë larg nga zona e banuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri, ndërsa situata është në ndjekje.

Operacioni nga ajri ka vijuar sot edhe në vatrën e ndezur në një sipërfaqe pyjore me shkurre e pisha, në malin e Tërbunit, bashkia Pukë.

Dy vatra aktive zjarri vijojnë të jenë edhe sot, në një sipërfaqe pyjore me dushqe dhe shkurre, por me intensitet të ulët në fshatin Radat, bashkia Dropull. Edhe aty ka filluar sërish operacioni për shuarjen e flakëve.

Top Channel