Arrestohen dy persona në Mirditë dhe Lezhë/ Njëri i vuri flakën sipërfaqeve të mëdha me pyje, tjetri ndezi zjarr në oborr

13/08/2021 08:50

Dy persona janë vënë në prangat e policisë për zjarrvënie të qëllimshme në Mirditë dhe Lezhë.

66-vjeçari i arrestuar në Mirditë dogji me zjarr një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të pabanuara.

“Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 66 vjeç, banues në fshatin Gjakëz, Mirditë.

Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz, Fanë, Mirditë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa 52-vjeçari në Lezhë u arrestua sepse dogji me zjarr një sipërfaqe toke me barishte, duke rrezikuar disa banesa, lokale dhe automjete.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 52 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë.

Ky shtetas ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot”, njofton policia.

Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës dhe një shtetase tjetër, Gj.V., 70 vjeçe, banuese në Balldren, Lezhë pasi dogji me zjarr një sipërfaqe toke.

Kjo shtetase, pasi ka ndezur zjarr në kanalin kullues, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Komisariateve në varësi të saj, të angazhuara maksimalisht për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Lezhë.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Strukturat e DVP Lezhë dhe Komisariatet e Policisë në varësi të saj, krahas përmbushjes së detyrave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për krijimin e një ambienti sa më të sigurt, janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur rastet e zjarrvënies në pyje e kullota, por dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të cilët ndjehen të rrezikuar nga zjarret që shkaktohen me qëllim apo nga pakujdesia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA