“Natyra na gjeti të papërgatitur”/ Mitsotakis: Ishte katastrofa më e madhe e dekadave të fundit, të ndryshojmë gjithçka 

12/08/2021 19:13

Duke folur në një konferencë për shtyp pas ditës së dhjetë të zjarreve masive që shpërthyen në të gjithë Greqinë dhe që tashmë thuajse janë shuar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka treguar ndryshimin e klimës si fajtorin kryesor pas katastrofës,  duke theksuar edhe një herë se qeveria e tij i dha përparësi shpëtimit të jetëve.

Kyriakos Mitsotakis: Arritëm të shpëtojmë mijëra njerëz, por humbëm pyje dhe prona. Dhe jemi këtu për të folur për gjithçka: si u mbrojtëm nga katastrofa më e madhe ekologjike e dekadave të fundit. Por edhe se ku natyra na gjeti të papërgatitur.

Mitsotakis tha gjithashtu se zjarret shkatërruese në të gjithë vendin ishin “katastrofa më e madhe ekologjike” që Greqia ka përjetuar në dekada, ndaj dhe qeveria e tij duke përballuar mbi 100 vatra në ditë në një moment të valës më të fortë të të nxehtit në 30 vitet e fundit, kërkoi ndihmë dhe mori nga 24 shtetet brenda Europës dhe jashtë saj.

Kyriakos Mitsotakis: Kriza klimatike është këtu dhe na tregon se gjithçka duhet të ndryshojë. Nga orientimi i ekonomisë, tek politika kombëtare  energjitike  dhe funksionimin e shtetit dhe sjelljes së përditshme të qytetarit në raport me mjedisin.

Më shumë se 100,000 hektarë pyje dhe toka bujqësore janë djegur në më pak se dy javë në Greqi sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarrin e Pyjeve, një shifër rekord për 14 vitet e fundit.

Ndërsa ende nuk janë llogaritur humbjet materiale si shtëpitë, bizneset apo makinat, në zonat e djegura nuk ka më ushqim për bagëtinë, dëme të pallogaritshme kanë pësuar edhe bletërritësit, ndërsa anulimet e turistëve kanë qenë në masën 90%.

Top Channel