Senati amerikan miraton projektligjin 1 trilion dollarësh të infrastrukturës

11/08/2021 10:54

Senati amerikan me 69 vota pro dhe 30 kundër miratoi të martën projekligjin dypartiak mbi infrastrukturën me një vlerë prej 1 trilion dollarësh.

Paketa përfshin rreth 550 miliardë dollarë në shpenzime të reja që do të përdorën për ndërtimin e rrugëve, sistemeve ujore dhe përmirësimin e qasjes në internet me shpejtësi të lartë.

Votimi i së martës vjen pas negociatash të gjera mes një grupi ligjvënësish demokratë e republikanë, ndërsa presidenti Joe Biden u shpreh i lumtur për kalimin e projektligjit.

“Jam i lumtur për këtë arritje domethënëse në rrugën drejt bërjes së asaj që të gjithë e dimë se ka përfunduar, investimet shumë të nevojshme në infrastrukturën bazë, të vështirë të këtij kombi. Unë me të vërtetë besoj se ky projekt -ligj dëshmon se zëri i njerëzve do të dëgjohet. Ne mund të bashkohemi për të bërë ndryshimin në jetën e njerëzve. E thashë më parë dhe kërkoj falje që e përsërita, por nuk ka ura republikane apo rrugë demokratike. ”

Megjithatë ka nga ata ligjvënës në të dyja krahët që e kundërshtojnë projektligjin. Disa demokratë thonë se ai nuk shkon aq larg sa të plotësojë nevojat e vendit, ndërsa ka republikanë që kundërshtojnë fushëveprimin dhe koston financiare të tij.

Pavarësisht kundërshtive paketa mori mbështetjen e 69 senatorëve.
Senatori republikan Rob Portman, i cili është përfshirë në negociatat dypalëshe, e quajti paketën “më të madhen në historinë e vendit”.

Ndërsa demokrati Schumer tha se pas votimit të projektligjit mbi infrastrukturës, Senati do ta kthejë vëmendjen tek një plan 10-vjeçar, prej 3.5 trilionë dollarësh, që përfshin çështje të tilla edukimi parashkollor papagesë, kolegji falas si dhe që parashikon fonde për strehimin e përballueshëm e programe mbi energjinë e pastër.

Kjo paketë më një faturë të madhe financiare gëzon mbështetjen e demokratëve në Senat, por jo të republikanëve. Por demokratët ka të ngjarë të ndjekin për miratimin e tij një procedurë të veçantë parlamentare, që do të bënte të mundur që projektligji të miratohej me një shumicë të thjeshtë, duke shmangur taktikat bllokuese.Debati mbi planin prej 3.5 trilionë dollarësh pritet të vazhdojë për disa muaj.

Top Channel