Një valë e nxehtë dhe e ashpër po përfshin Italinë këtë javë, duke ndezur zjarre në jug të vendit, veçanërisht në Sicili dhe Kalabri, ku kërcënohet një park natyror i mbrojtur nga UNESCO.
Temperaturat arritën 47 gradë Celsius në Sicili të martën, pranë Sirakuzës, ndërsa meteorologët paralajmëruan se rekordi i të gjitha kohërave i Italisë prej 48.5 gradë, në Sicili në 1999, mund të tejkalohet të Mërkurën.
Diku tjetër në jug të Italisë, anticikloni i quajtur “Lucifer” nga mediat italiane ishte parashikuar ta ngrinte termometrin në 39 deri në 42 gradë , ndërsa temperaturat e fundjavës parashikohet të shkojnë deri në 40 gradë në rajonet qendrore të Toskanës dhe Lazios, ku përfshihet edhe Roma.
Autoritetet italiane dhanë ‘alarmin e kuq’ për nxehtësinë ekstreme në zonat brenda dhe rreth qyteteve të Romës, Barit, Rietit dhe Campobasso të martën, dhe atyre iu bashkuan Palermo, Perugia, Frosinone dhe Latina.
Departamenti i Italisë për Mbrojtjen Civile ndërkohë paralajmëroi mbi rrezikun e shtuar të zjarreve për shkak të kushteve të motit këtë javë.
Ishulli i Sicilisë dhe rajoni i Kalabrisë në veçanti janë përballur me zjarret gjatë gjithë verës – shumica e shkaktuar nga zjarrvënie të qëllimshme dhe të nxitura me pas dhe nga nxehtësia – ndërsa zjarrfikësit realizuan 300 ndërhyrje vetëm në 12 orët e fundit
Top Channel