Një zarf me tre plumba drejtuar Papa Françesku u gjet nga punonjësit e postës në Qendrën në Peschiera Borromeo, në zonën milaneze.
Mediat italiane shkruajnë se paketa vinte nga Franca. Zarfi u kap nga Karabinierët milanezë dhe hetimet po kryhen nga njësia hetimore e komandës të Milanos.
Ai përmbante tre fishekë të tipit Flobert, të kalibrit 9 milimetra. Ndërkohë mbi të ishte shkruar me stilolaps në një mënyrë të palexueshme “Papës – Qyteti i Vatikanit – Piazza San Pietro në Romë”.
Megjithëse hetimi ka nisur, duket qartë se zarfi që nuk arriti në Selinë e Shenjtë, është një kërcënim. Sipas ‘Il Corriere della Sera’, zarfi kishte dhe informacione për disa transaksione financiare që lidhen me Vatikanin.
Por deri më tani , të gjitha këto mbeten në fazën e dyshimeve , derisa autoritetet të flasin zyrtarisht për ngjarjen .
Top Channel