15 ditë luftë me flakët/ 300 forca ngjiten drejt malit të Karaburunit, rrezikohet Parku i Llogorasë! Zjarri në Majën e Rrunës merr përmasa të mëdha

09/08/2021 08:43

Në ditën e 15 të luftës me flakët në vendin tonë zjarret më problematike janë në malin e Karaburunit në Vlorë dhe Majën e Rrunës në Kukës.

Rreth 300 forca janë ngjitur në orët e para të mëngjesit në malin e Karaburunit dhe pikërisht tek vendi i quajtur “Gropat e Pirit”, pasi është zona me rrezikshmëri më të lartë , ku vatrat e zjarrit janë aktive dhe rrezikojnë seriozisht Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Është një masiv pyjor me pemë shekullore i cili lidhet me Llogoranë.

FA, zjarrfikës të Vlorës, ADZM, prefektura por dhe banorë të Dukatit janë duke u ngjitur në mal për fikjen e zjarreve të ndihmuar edhe nga helikopterët.

Në ditën e 15 të zjarreve vetëm kjo zonë paraqet rrezikshmëri pasi zjarri mbi fshatin Dukat është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik.

Zjarri në Majën e Rrunës në Kukës ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa vijon të jetë ende jashtë kontrollit.

Zona sipër tunelit të Kalimashit është më problematike, pasi ndërhyrja me mjetet zjarrfikëse është e vështirë për shkak të terrenit.

Gjatë ditës së sotme pritet që helikopteri të ndërhyjë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.

Ndërsa zjarri në fshatin Kodhel të Lezhës është izoluar dhe fikur totalisht, ndërsa vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Lalm në njësinë administrative të Kolshit.

Sipas forcave zjarrfikëse aksioni për fikjen vijon me mjete rrethanore ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, policë dhe punonjës të shërbimeve të institucioneve.

Theksohet se terreni është  i vështirë dhe është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Mënyra më efikase mbetet ajo nga ajri.

Fatmirësisht duke qenë në distancë të largët nuk rrezikohen banesa.

FOTO GALERI
13/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA