Varianti më ngjitës i koronavirusit Delta tani përbën rreth 97 për qind të rasteve të reja të COVID-19 në Gjermani.
Instituti Robert Koch konfirmoi 3.448 raste të tjera me koronavirus në 24 orët e fundit, duke treguar se numri i rasteve ishte përsëri në një trend rritës.
Autoritetet shëndetësore regjistruan mbi 3.000 raste të reja për ditën e tretë me radhë, për herë të parë që nga qershori.
Sipas institutit, rastet e reja janë rritur veçanërisht tek adoleshentët dhe të rinjtë.
Deri më sot, kishte 29.900 raste aktive me COVID-19 në të gjithë vendin.
Pavarësisht nga rritja e shpejtë e numrit të rasteve në javët e fundit, numri i të hospitalizuarve dhe numri i vdekjeve mbetën relativisht të ulëta, në krahasim me valën e parë dhe të dytë të pandemisë në Gjermani.
Autoritetet shëndetësore konfirmuan 24 viktima të ndërlidhura me koronavirusin, nga 30 vdekje të raportuara një javë më parë.
Aktualisht, 393 pacientë që janë në gjendje të rëndë po marrin trajtim në njësitë e kujdesit intensiv.
Gjermania ka rritur fushatën e saj të vaksinimit kohët e fundit dhe ka arritur përparim të rëndësishëm në vaksinimin e plotë të një përqindje të lartë të popullsisë së saj kundër COVID-19.
Deri dje, rreth 45 milionë njerëz në Gjermani, që është 54,1 për qind e popullsisë, u vaksinuan plotësisht kundër virusit, ndërsa më shumë se 51,8 milionë njerëz, 62,2 për qind e popullsisë, kanë marrë të paktën një dozë./AA/
Top Channel