Stabilizohet situata në Varibob të Greqisë/ Banorët kthehen në shtëpitë e djegura. Mitsotakis: Të gjitha banesat do rindërtohen!

04/08/2021 09:29

Pas fikjes së zjarreve, banorët e Varibobit në Greqi po numërojnë dëmet materiale që iu shkaktuan si pasojë e flakëve. Dëmi është i konsiderueshëm sepse ka djegur shtëpitë dhe makinat e tyre.

Ndërsa situata duket më e qetë, zjarrfikësit janë duke qëndruar në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave, ndërsa mjetet fluturuese janë duke vepruar akoma nga ajri.

Në kryqëzimin e rrugëve Chalkidos dhe Chlois, zjarri dogji edhe shumë banesa, të cilët ishin shumë pranë me pyjet, por fatmirësisht nuk pati humbje në jetë njerëzish.

Në lidhje me këtë situatë katastrofike, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka bërë një mbledhje.

Sipas Mitsotakis, zjarrfikësit bënë një punë të mirë në menaxhimin e situatës, ndërsa theksoi se sapo situata të vihet në normalitet do të nisë puna për regjistrimin e dëmeve dhe të gjitha shtëpitë që janë dëmtuar do të rindërtohen.

Ne patëm një natë shumë të vështirë. Unë mendoj pozitivisht për faktin se nuk kemi pasur humbje në njerëz. Sistemi i evakuimit funksionoi në mënyrë perfekte. Infrastruktura kritike u durua. Shtëpitë do të rindërtohen”, tha Mitsotakis.

Top Channel