SHBA/ Moratorium i ri kundër dëbimeve në kushtet e pandemisë

04/08/2021 14:51

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nxori një moratorium të ri kundër dëbimit nga banesat deri më 3 tetor, ndërkohë që administrata amerikane përpiqet të zbusë kritikat nga progresistët se ka lejuar dëbimin nga banesat të banorëve në kushte të vështira gjatë pandemisë.

Moratoriumi i njoftuar të martën mund të ndihmojë miliona vetë të vazhdojnë të qëndrojnë në banesat e tyre, në një kohë kur vazhdon përhapja e variantit delta dhe shtetet nuk kanë vepruar me shpejtësi për të ndarë ndihma. Masa ndalon dëbimet nga banesat në komuna me “nivele të konsiderueshme dhe të larta” të përhapjes së virusit gjë që përfaqëson zona ku banon 90% e popullsisë amerikane.

Ky veprim përfaqëson një ndryshim qëndrimi nga administrata aktuale, e cila gjatë fundjavës lejoi skadimin e moratoriumit të mëparshëm duke thënë se zgjatja e tij nuk lejohej në bazë të një vendimi të Gjykatë së Lartë. Kjo shkaktoi një hendek të thellë mes Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve progresistë, të cilët këmbëngulin se qeveria federale duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar rreth 3.6 milionë amerikanë që të mos humbasin shtëpitë gjatë kësaj periudhe.

Në komente të martën nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se i kishte kërkuar Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të peshonte opsionet. Por dukej që presidenti nuk ishte plotësisht i bindur se moratoriumi do t’u rezistonte padive lidhur me kushtetutshmërinë, duke thënë se kishte kërkuar mendimin e ekspertëve lidhur me ligjshmërinë.

Presidenti shtoi se edhe nëse moratoriumi kundërshtohet me padi gjyqësore, gjithsesi do t’u japë ca kohë shtesë shteteve dhe komunave të aktivizojnë miliarda dollarë ndihma për banorët e tyre në rrezik dëbimi nga banesat.

Zyrtarët e administratës kishin thënë më parë se Gjykata e Lartë nuk i kishte lejuar të vendosnin një moratorium të ri pa mbështetjen e Kongresit. Kur Gjykata e Lartë lejoi zgjatjen e moratoriumit të mëparshëm në korrik, gjykatësi Brett Kavanaugh shkroi se zgjatje të mëtejshme kërkonin akt nga Kongresi.

Por të martën Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve theksoi ritmet e ngadalta të ndarjes së ndihmave në nivel komunal si arsye për moratoriumin e ri.

Presidenti Biden këmbëngul se shtetet kanë sasi të mjaftueshme ndihmash federale që duhen përdorur nga autoritetet lokale në ndihmë të personave në nevojë./ VOA

Top Channel