De Grasse triumfon në 200 metra, në garën e 800 metrave Kenia ruan traditën!

04/08/2021 21:39

Ditën e mërkurë përveç garave përmbyllëse të femrave në 400 dhe 3.000 metra me pengesa në Stadiumin Olimpik të Tokios u zhvilluan edhe tre finale të tjera, që të gjitha në kategorinë e meshkujve.

Kështu në garën e 200 metrave pas shumë e shumë peripecive dhe episodeve të pafata në karrierë më në fund ia doli mbanë për të merituar një medalje të artë në aktivitetet e rëndësishme pikërisht sprinteri kanadez Andre de Grasse. Ditën e dielë atleti me origjinë nga Karaibet fiksoi kohën 9”89, duke varur në qafë medaljen e bronztë në garën e 100 metrave, ndërsa në Olimpiadën e Rio de Janeiro-s në garën e 200 metrave Andre De Grasse u thye vetëm nga sprinteri legjendar xhamajkan Usain Bolt, pa harruar gjithashtu edhe faktin që në Lojërat Olimpike të Brazilit pesë vjet më parë në garën e 100 metrave sportisti nga Scarborough e mbylli aventurën e tij në shkallën më të ulët të podiumit, duke u mundur vetëm nga dyshja Usain Bolt–Justin Gatlin.

Ndonëse vetëm 26-vjeç De Grasse është persekutuar në shumë raste nga dëmtime të shumta dhe të rënda, por talenti i tij nuk është vënë kurrë në dyshim. Në finalen e 200 metrave në Olimpiadën e Tokios Andre De Grasse zhvilloi një garë shembullore, duke mposhtur mbi të gjitha edhe sprinterin e mirënjohur amerikan Noah Lyles, që triumfoi në këtë disiplinë edhe në botërorin e 2019 në Katar. 24-vjecari nga Florida ishte në kryesim përpara se të kalohej në cerekun e fundit të garës nga dyshja Andre De Grasse – Kenneth Bednarek. Pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm dhe ritmit të lartë të 22-vjecarit nga Oklahoma sprinteri nga Ontario ia doli për të kaluar i pari vijën e finishit, duke e fiksuar kronometrin në kohën 19”62. Rezultati 19”62 përfaqëson kohën e tetë më të shpejtë të të gjitha kohërave në këtë disiplinë dhe për rrjedhojë Andre De Grasse theu njëkohësisht edhe rekordin kombëtar të Kanadasë. Atleti nga Shtetet e Bashkuara Kenneth Bednarek e përfundoi garën me rezultatin 19”68, koha e tij më e shpejtë në karrierë, ndërsa amerikani tjetër Noah Lyles e mbylli aventurën e tij me kohën 19”74, duke regjistruar kohën e tij më të shpejtë të sezonit.

Ndonëse mbeti jashtë zonës së medaljeve bëri një figurë të shkëlqyer edhe atleti tjetër nga Shtetet e Bashkuara Erriyon Knighton. Më 31 maj si dhe në korrikun e këtij viti sprinteri i talentuar amerikan theu respektivisht rekordet botërore për moshat 18 dhe 20 vjec, që mbaheshin nga i madhi Usain Bolt, ndërsa këtë radhë 17-vjecari nga Shtetet e Bashkuara zhvilloi një garë të mirë dhe fiksoi kohën 19”93, duke u renditur në vendin e katërt. Kenia ruajti traditën në garën e 800 metrave dhe vendi i famshëm afrikan siguroi medaljen e artë në këtë disiplinë për të katërtën olimpiadë radhazi. Në Londër dhe Rio de Janeiro pati fituar rekordmeni i botës David Rudisha, ndërsa këtë herë radhën e pati dyshja Korir–Rotich.

Ferguson Rotich u kualifikua duke prodhuar kohën më të shpejtë të kësaj gare në Lojërat e 32 Olimpike, megjithatë në finalen e madhe 31-vjecari u mund nga bashkëkombasi i tij. 26-vjecari Emmanuel Korir kaloi vijën e finishit me kohën 1’45”06, ndërsa Rotich i mbylli dy xhirot në pistën e Stadiumit Olimpik të Tokios me kohën 1’45”23, ndërkaq podiumi u plotësua nga 27-vjecari polak Patryk Dobek, që fiksoi kohën 1’45”39. Pas tre medaljeve të bronzta rresht në botërorët e mëparshëm në Pekin, Londër dhe Doha më në fund pati lavdi gjithashtu edhe për sportistin polak Wojciech Nowicki, që u kurorëzua me medaljen e artë në hedhjen e cekicit.

32-vjecari i cili në Olimpiadën e Rio de Janeiro-s nuk shkoi dot përtej rezultatit 77,73 metra, duke humbur medaljen e argjendtë për thjesht 6 centimetra, këtë herë kontrolloi garën nga fillimi në fund. Noëicki kapi largësinë 82,52 duke regjistruar rezultatin e tij më të mirë në karrierë, ndërsa i dyti u pozicionua Elvind Henriksen që falë hedhjes 81,58 metra pikërisht në provën e tij të parafundit kaloi polakun tjetër Pawel Fajdek, duke vendosur një rekord të ri për atletikën norvegjeze. Ndonëse krenohet me katër tituj radhazi në katër botërorët e fundit në hedhjen e çekicit 32-vjecari vazhdon të jetë i mallkuar në Lojërat Olimpike dhe sportisti i mirënjohur polak këtë herë u ngushëllua me vendin e tretë, duke humbur medaljen e argjendtë për thjesht 5 centimetra gjithsej./SuperSport/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA