Viktima e parë nga zjarret, reagon Basha: Masat gjysmake, të largohet çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara

03/08/2021 18:52

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për situatën e zjarreve në vendin tonë pasi u shënua viktima e parë nga flakët.

Basha i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit që u gjet i djegur pranë banesës së tij në Gjirokastër pasi po përpiqej të shuante flakët.

Kreu i PD hedh akuza ndaj qeverisë se nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante, pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias për disa ditë me radhë.

Ndër të tjera, u bën thirrje forcave të emergjencës që të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve. Ndërsa banorëve u thotë që të largohen nëse ndodhen në zonat e rrezikuara.

Reagimi i Bashës

I shpreh ngushëllimet familjes së Andrea Haxhiaj që humbi jetën sot si pasojë e zjarrit në zonën e Gjirokastrës. Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend.

Pavarësisht  paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës. Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore.

Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh. Është momenti që çdokush që ndodhet në zonat e rrezikuara nga zjarri të largohet dhe të kujdeset për jetën. Forcat e emergjencës që ndodhen në terren të marrin masa urgjente që brenda mundësive të sigurojnë jetën e banorëve të rrezikuar dhe të shmangin përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Top Channel