Presidenti kthen ligjin “Për të huajt”/ Meta: Shpopullimi, drama më e madhe! Fluksi i shtetasve nga vendet e treta, përtej mundësive që ofron Shqipëria

03/08/2021 11:33

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”.

Sipas qeverisë objekti i këtij ligji është:“rregullon regjimin e hyrjes, të qëndrimit, të punësimit dhe të daljes së të huajve në/nga Republika e Shqipërisë. Ligji përcakton funksionet dhe kompetencat e autoriteteve shtetërore dhe të subjekteve të tjera, publike dhe private, shqiptare ose të huaja që kryejnë aktivitete në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë të bëjnë me të huajt që kërkojnë të hyjnë, që hyjnë, qëndrojnë dhe dalin nga Republika e Shqipërisë. Marrëveshjet ndërkombëtare, të lidhura me qeveritë e shteteve të tjera, të ratifikuara me ligj, mund të parashikojnë dispozita të veçanta e më të favorshme për shtetasit e këtyre vendeve, që zbatohen reciprokisht”.

Por Kreu i Shtetit ka shprehur rezerva duke e kthyer atë për rishqyrtim, pasi sipas tij Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta.

“Fluksi i shtetasve nga vendet e treta është përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë dhe mund të përballojë. Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqenie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?

Masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore. Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore”, thotë Meta.

Po ashtu Presidenti thotë se shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit tonë dhe largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë.

“Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë. Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike. Shpopullimi, shqiptarët kanë humbur besimin se kushtet dhe cilësia e jetesës së tyre në vend, mund të përmirësohen, dhe për këtë shkak ata largohen pasivisht. Shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet  me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm. Kryeministri ka konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje”, thekson ai më tej.

Top Channel