“S’mund të mbetemi peng i së shkuarës”/ “Forumi Ekonomik”, Rama: Pse të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri-tjetri?!

29/07/2021 11:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se rajoni nuk duhet të mbetet peng i së shkuarës dhe vendet anëtare të Ballkanit duhet ta mbështesin njëri-tjetrin, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal që po zhvillohet ditën e sotme në Shkup, ku pjesëmarrës janë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe 300 përfaqësues të bizneseve të tre vendeve.

Ai theksoi se shtete e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin që të futen në BE për të lëvizur lirshëm me njëri-tjetrin, por të bëhen pjesë e kësaj nisme strategjike.

Sipas Ramës, nuk duhet të qëndrohet mbyllur duke parë problemet e shteteve, por të ketë bashkëpunim për të zgjidhur çdo konflikt dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve.

“Këtë herë përkthyesi të mos jetë si herën tjetër që ma shkatërroi komplet mesazhin dhe uroj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Maqedonia,  Mali i Zi , Kosova edhe nga Bosnja, edhe nga Kroacia, Sllovenia, Greqia. Mozaiku i pjesëmarrjes është përtej tre vendeve tona dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes. Ata që krijojnë punë, të ardhura e duan të shkojnë më tutje. Kjo nismë është gjeja e duhur dhe jo vetëm është e duhur, pro ndryshe nga çfarë predikojnë disa, po edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vijojë të mbetet peng i së shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar punë, për të hapur prespektivë,  është i dënuar të jetojë në të shkuarën, ne duam të projektohemi në  të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re por sjell në rajon një shembull të plotë, atë të BE. Katër liritë lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve shërbimeve, për çfarë arsye duhet të presim të mbyllur brenda kufijve tanë me kurriz nga njëri tjetri siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë rrugëtimi në BE ka kohën ritmin jo çfarë bëjmë ne por çfarë mendojnë të tjerët në fund të ditës në momentin që integrohemi do të bëjmë atë që bëjmë sot pa BE. Nesër si pjesë e BE nuk do të ketë më diskutime të mundshëm  nëse këto katër liri do të zbatohen në rajonin tonë”, tha Rama.

Rama u bëri të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e nismës së bashkëpunimit mes vendeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Sipas tij, pse duhet të presin Mali i Zi apo Bosnja për të bashkëvepruar, kur ka përfitim të ndërsjellë mes të gjitha shteteve. Në lidhje me Kosovën, ai tha se e di problemin e saj ndërsa mban qëndrim të kundërt, pasi të gjitha vendet duhet të jenë pjesë e nismës.

“Mali i Zi, nuk e mendoj për çfarë mendohet Mali i Zi, se si të zgjidhë problemet e krahut të punës duke qëndruar i mbyllur? Që është një problem serioz për të gjitha vendet. Po Bosnja për çfarë mendohet,  se e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt se për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi për njerëzit për të gjithë së bashku. Çdo ditë që fitojmë është një ditë për të ardhmen”, theksoi Rama.

Top Channel