Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka folur për situatën problematike në Landfillin e Fierit ku janë ende aktive flakët e mbetjeve që u dogjën. Ndonëse mjetet e tonazhit të rëndë po punojnë për mbulimin me dhé të mbetjeve që çlirojnë tym, ka ende punë për të bërë.
Në daljen para mediave, Subashi tha se po punojnë për shuarjen e flakëve dhe për rehabilitimin e rrugëve që do t’i çojnë tek inceneratori që është gati të presë depozitimin e mbetjeve dhe trajtimin sipas standardeve të BE.
30 gushti do të jetë afati maksimal ku mund të mbyllim përfundimisht këtë fushë të depozitimit të Fierit dhe të fillojmë trajtimin tek inceneratori.
Armando Subashi: Besoj e mbani mend që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak në 2015, e kemi marrë atë vendim për faktin se kjo situatë që po shikojmë këtu ka qenë një situatë e vazhdueshme në vite, vazhdimisht plehrat digjeshin, krijonin probleme mjedisore dhe një nga problemet që morëm në atë kohë ishte pikërisht shpallja e emergjencës mjedisore. Mbi bazën e atij vendimi që morëm, kishim dhe mbështetjen e qeverisë dhe sot që flasim, pavarësisht ngjarjeve të këtyre tre ditëve të fundit, ky problem pothuajse është i zgjidhur se sot kemi një vepër të madhe publike të përfunduar, i cili është gati të presë depozitimin e mbetjeve dhe më pas trajtimin sipas standardeve të BE.
Ajo çfarë ka ngelur në ditët e fundit të punës sonë është rehabilitimi i rrugëve që do të na çojnë tek inceneratori sepse vendi ku është nuk i ka pasur rrugët e bëra. Së dyti jemi duke përfunduar një stacion për transferimin e mbetjeve sepse nga qyteti i Fierit deri tek inceneratori është një distancë e konsiderueshme dhe nuk mund të shkojnë mjete teknologjike që ne kemi për pastrimin e mbetjeve, të shkojnë gjithë natën se do ishte humbje kohe dhe shpenzim pafund. Ndërtimi i një stacioni dhe blerja e mjeteve të reja për transferimin e mbetjeve është në ditët e fundit dhe ndofta 30 gushti do të jetë afati maksimal ku mund të mbyllim përfundimisht këtë fushë të depozitimit të Fierit dhe të fillojmë trajtimin tek inceneratori.
Sa i përket deklaratave të Luan Baçit se situata është alarmante pasi qyteti i Fierit është mbuluar me tym dhe duket sikur po punohet, Subashi tha se gazetarët e kanë parë vetë që prej mëngjesit deri në darkë se nuk ka pushuar puna.
Armando Subashi: Nëse punohet ose jo, e shikoni vetë. Ne jemi duke punuar non stop, pothuajse 24 orë me mjetet e Bashkisë dhe mjete të tjera dhe e vetmja zgjidhje është mbyllja me dhe e gjithë fushës. Sjellja e zjarrfikëseve nuk sjell rezultat, përkundrazi, uji e rindez më keq, duket sikur e shuan për pak minuta, por e rindez më keq. Padyshim që ngjarja e ditëve të fundit ishte e rëndë, ende nuk mund të themi nëse fusha është vetëndezur apo ka ndonjë dorë.
E rëndësishme është fakti që situata është nën kontroll. Dita e nesërme ose e pasnesërme merret plotësisht situata nën kontroll. Vatra zjarri nuk kemi, dhe aty ku shfaqet ndonjë e vogël, ndërhyhet menjëherë. Sa i përket atij që më thatë, e kuptuat që ishte show i radhës. Mund t’i kenë thënë nga qendra, ik bëj një deklaratë te fusha e plehrave. Nëse ai dhe partia e tij do e kishte shqetësim, mund të vinin edhe për mbështetje morale dhe pasi ta kalojmë do kemi kohë dhe për debate politike e deklarata.
Ndërsa për tenderin për rrugën që të çon tek inceneratori, Subashi tha se është pezulluar për shkak se duhet të vlerësohet cdo sensibilitet publik, ndaj pritet ekspertiza nga ministria që ka lidhur kontratën. Me bindje tha se rruga për te inceneratori duhet bërë.
Armando Subashi: Tenderi nuk është anuluar, është pezulluar sepse duam të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vlerësojmë çdo sensibilitet publik apo mediatik në raport me këtë proces. Në momentin që kishim një sensibilitet të tillë dhe duke iu referuar një neni të kontratës, vendosëm ta pezullojmë atë procedurë, të marrim një ekspertizë nga ministri që kanë bërë lidhjen e kontratës, të marrim një vendim më të specializuar. Nga fillimi i javës besoj merret vendimi i duhur dhe për këtë çështje. Rruga për tek inceneratori duhet bërë.
Nuk mungoi pyetja për një postim të Petro Koçit në rrjete sociale, ku tha se trafikantët e drogës po pastrojnë paratë përmes dhunës dhe kërcënimeve duke pastruar paratë e tyre me taksat e qytetarëve të Fierit. Koçi nuk përmendi emra, por u spekulua se në qendër të akuzave është kryetari i Bashkisë Armando Subashi, i cili ka dhënë përgjigjen e tij para mediave.
Armando Subashi: Ndaj meje? Je duke abuzuar, jo të lutem nuk i bën këto diversione me PS se në asnjë moment në deklaratat e deputeti Koçi nuk ka bërë asnjë insinuatë për bashkinë, problemet dhe shqetësimet kanë qenë në parim edhe ne nuk jemi kundër atyre deklaratave, të gjitha i mbështesim dhe padyshim duhet të hetohen të gjithë ato që abuzojnë. Padyshim që për mua ka qenë një spekulim i pastër i mediave dhe me dashje ose pa dashje janë munduar të shtrembërojnë një shqetësim ndofta real dhe ta kanalizojnë drejt bashkisë. Duke vendosur një deputet përballë kryetarit të bashkisë ky është lajm, por ky është abuzim.
Subashi mohoi edhe spekulimet se SPAK ka mbërritur në Bashkinë e Fierit dhe ka sekuestruar dosje të caktuara.
Armando Subashi: Është abuzim. Është një fake neës nuk di pse është përhapur. Çdo institucion është i hapur për hetim, për cdo dosje, për cdo procedurë, për cdo gjë që organet ligjzbatuese mendojnë që duhet të verifikohet e hetohet. Fakti që shkon në një institucion për të bërë një hetim, nuk është fundi i botës.
Top Channel