Kreu i PD në Fier, Luan Baci ishte në landfillin e Fierit ku vijon djegia e mbeturinave prej tre ditësh. Në fjalën e tij para mediave, hodhi akuza ndaj Bashkisë së Fierit duke thënë se po punojnë për shuarjen e flakëve por nuk kanë marrë asnjë masë për shëndetin e qytetarëve.
Ndër të tjera i bëri thirrje qytetarëve fierak që të ngrihen në protestë duke thënë se i gjithë qyteti është nën tym për shkak të “atyre që janë të babëzitur për vjedhje.”
Luan Baçi: Situata është e dukshme tashmë, një situatë vërtet alarmante, e rrezikshme dhe shumë dëmtuese për qytetarët fierakë. Nuk është një ditë, jo dy, janë ditë të tëra që qyteti i Fierit është në gjendje katastrofike, tym dhe blozë në çdo shtëpi të qytetarëve fierakë. Qytetarët janë mbyllur brenda dhe janë të frikësuar. Besoj dakordoheni me mua se po e pësoni vetë ju në shtëpitë tuaja. Nuk është situatë për të bërë politikë dhe unë jam plotësisht dakord me këtë, madje më vjen keq që ndokush mundet të thotë që po bëjmë politikë me këtë fatkeqësi. Kemi ditë që e ndjekim situatën nga afër, e kemi denoncuar duke ofruar edhe ndihmesën tonë se si mund të zgjidhet.
Çfarë ka bërë Armando Subashi që më vjen mirë që e shikoj këtu, por nuk është puna për tu kujtuar kur ndodh situata, por të kishin marrë masa se është katastrofë mjedisore për shëndetin e njerëzve dhe nuk kanë marrë asnjë masë për këtë situatë shumë të rrezikshme. Ju bëj thirrje qytetarëve fierakë të protestojnë, të reagojnë. Këtu është situatë e lënë pas dore se janë të babëzitur, të pangopur dhe të pashpirt në vjedhjen që duan t’i bëjnë qytetarëve.
Nuk mungoi përgjigja nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, i cili tha se dalja e Luan Bacit ishte “show i radhës” i nxitur nga Partia Demokratike.
Armando Subashi: Nëse punohet ose jo, e shikoni vetë. Ne jemi duke punuar non stop, pothuajse 24 orë me mjetet e Bashkisë dhe mjete të tjera dhe e vetmja zgjidhje është mbyllja me dhe e gjithë fushës. Sjellja e zjarrfikëseve nuk sjell rezultat, përkundrazi, uji e rindez më keq, duket sikur e shuan për pak minuta, por e rindez më keq. Padyshim që ngjarja e ditëve të fundit ishte e rëndë, ende nuk mund të themi nëse fusha është vetëndezur apo ka ndonjë dorë.
E rëndësishme është fakti që situata është nën kontroll. Dita e nesërme ose e pasnesërme merret plotësisht situata nën kontroll. Vatra zjarri nuk kemi, dhe aty ku shfaqet ndonjë e vogël, ndërhyhet menjëherë. Sa i përket atij që më thatë, e kuptuat që ishte shoë i radhës. Mund t’i kenë thënë nga qendra, ik bëj një deklaratë te fusha e plehrave. Nëse ai dhe partia e tij do e kishte shqetësim, mund të vinin edhe për mbështetje morale dhe pasi ta kalojmë do kemi kohë dhe për debate politike e deklarata.
Në përfundim, nuk mungoi ironia e tij pasi tha: “Po t’ju thoja unë hajde shihni se po punojmë, jam i bindur që nuk do vinit. Të punosh nuk është lajm, lajm është të bësh show. Të fala Luanit”.
Top Channel