Zjarre në veri të Athinës/ Shkrumbojnë shtëpi, makina dhe dhjetëra hektarë pyje dhe kërcënuan banorët e fshatrave

28/07/2021 01:32

Për më shumë se nëntë orë forcat zjarrfikëse kanë luftuar me një zjarr të madh në një zonë pyjore në veri të Athinës që ka shkrumbuar shtëpi, makina dhe dhjetëra hektarë pyje duke kërcënuar edhe banorët e fshatrave Stamata, Rodhopoli dhe Dhioniso.

Era e fuqishme që frynte në zonë me shpejtësi mbi 60km/orë ka bërë që flakët të shpërndahen në një front të gjerë ndaj dhe duke parë rrezikun organet greke kanë urdhëruar evakuimin e fshatit Stamata 30 km në verilindje të Athinës, ndërsa në zonat ngjitur banorët janë këshilluar të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura për të shmangur ekspozimin ndaj tymit dhe për të parandaluar shkëndijat e rrezikshme brenda shtëpive.

Në luftë me flakët kanë marrë pjesë, një forcë prej 310 zjarrfikësish, me 110 makina, 12 helikopterë, 9 aeroplanë duke përfshirë një avion zjarrfikës rus Berier-200 dhe disa dhjetëra forca vullnetare të cilat kanë mundur në mbrëmje vonë të vënë nën kontroll zjarrin. Organet e Rendit kanë ndaluar 4 persona për t’i marrë në pyetje si të dyshuar për zjarrvënie, por me pas ata janë liruar.

Ndërsa më vonë është marrë në pyetje një bletërritës që akuzohet për zjarrvënie nga pakujdesia pasi janë gjetur prova se ka përdorur tymuesen tek kosheret e bletëve.

‘Të gjithë jemi në gatishmëri. Këto janë ditë shumë të vështira. Ju lutemi shumë të gjithëve, të mos ndizni zjarre në zonat pyjore dhe ato bujqësore. Le të ndalojmë çdo aktivitet këto ditë, sepse në vijim, kushtet do të jenë jashtëzakonisht të vështira dhe rreziku i zjarrit është shumë i lartë’- tha Mihalis Chrisohoidhis, ministri i mbrojtjes së qytetarit.

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit ka deklaruar se megjithëse zjarri i orëve të fundit është vënë nën kontroll, në zone mbeten ende forca të shumta zjarrfikëse pasi ka shumë vatra të vogla aktive.

Nga ana e tij Shërbimi Zjarrfikës aktualisht është në gatishmëri në të gjithë vendin pas paralajmërimeve të Shërbimit Sinoptik për një valë të nxehti që pritet në orët e ardhshme me temperatura të larta që do të shkojnë në 43 gradë Celsius që do të mbizotërojnë në të gjithë vendin për disa ditë rresht.

Top Channel