Tragjedia përsëritet: Përmbyset varka, vdesin në det 60 emigrantë mes tyre gra e fëmijë

28/07/2021 12:02

Të paktën 57 vetë humbën jetën pas përmbysjes së një anije të vogël e të mbingarkuar me emigrant pranë brigjeve të Libisë.

Deri tani këtë vit, gati 1.000 azilkërkues kanë gjetur vdekje në Mesdheun qendror, katër herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar thotë Organizata Ndërkombëtare e emigracionit.

Vitin e kaluar ishin vetëm 272. Nuk duhet të hezitojmë më, duhet të bëjmë gjithçka për të forcuar sa më parë sistemin e patrullimit në det”, tha një zëdhënës i saj, Flavio Di Giacomo.

Të dhënat e para tregojnë se anija, që transportonte shtetas kryesisht nga Nigeria, Gana dhe Gambia, hasi në vështirësi disa orë pas nisjes për shkak të erërave të forta dhe u përmbys në brigjet e Khoms, rreth 100 km nga kryeqyteti libian, Tripoli.

Të mbijetuarit e nxjerrë në tokë rrëfyen se mes atyre që u mbytën, kishte të paktën 20 gra dhe dy fëmijë. Nisjet nga Libia dhe Tunizia janë shtuar shumë këto kohët e fundit pasi trafikantët e njerëzve po përpiqen të përfitojnë nga moti i ngrohtë. E gjithë kjo situatë ka bërë që qendra e pritjes në ishullin e vogël italian të Lampedusës të mbërrijë në limitet e saj.

Sipas Di Giacomo, sistemi i patrullimeve detare nga autoritetet europiane ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, duke çuar në rritjen e numrit të vdekjeve.

Top Channel