Erdoğan: Turqia dhe Angola bien dakord të arrijnë 500 milionë dollarë vëllimin tregtar

27/07/2021 21:59

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, është zotuar se do të rrisë vëllimin tregtar të vendit të tij me Angolën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media me presidentin e Angolës, Manuel Gonalves Lourenco, Erdoğan tha se vëllimi aktual tregtar i Turqisë me Angolën është 176 milionë dollarë. Ai tha se kjo shifër është shumë e ulët për dy vende të tilla të fuqishme dhe se ranë dakord të arrijnë 500 milionë dollarë vëllim tregtar.

“Pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB (këtë shtator), ne do të bëjmë një vizitë kthyese në Angola me një grup biznesmenësh. Ne duam të fillojmë vizita të nivelit të lartë midis dy vendeve”, tha presidenti Erdoğan.

Ai shtoi se Turqia do të qëndrojë pranë Angolës si një vend që ka provuar veten në luftën e saj kundër terrorizmit.

Lourenco, nga ana e tij, tha se marrëveshjet e nënshkruara të ditës së sotme midis Turqisë dhe Angolës do të hapin rrugën që investitorët turq të vizitojnë dhe të investojnë në Angola me më shumë besim. Ai shtoi se kjo vlen edhe për investitorët e Angolës.

“Me marrëveshjet e nënshkruara, ne duam të kthejmë kohën e humbur për vite me radhë dhe të arrijmë majën në marrëdhëniet dypalëshe dhe në vëllimin tregtar,” tha Lourenco.

Më herët, Erdogan priti homologun e tij nga Angola me një ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial.

Takimi kokë më kokë dhe midis delegacioneve të të dy vendeve pasuan me një ceremoni nënshkrimi të marrëveshjeve dypalëshe./AA/

Top Channel