Drejtësia nuk harron: Sulmi në parlamentin maqedonas, dënohet me burg ish kryetari!

26/07/2021 18:35

Shkup, dënohet ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe organizatorët e sulmeve të 2017-ës në parlament Gjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burg ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.

Për të njëjtën vepër, gjykata dënoi me gjashtë vjet e tre muaj burg edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim. Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.

Gjykatësi theksoi se Veljanovski nuk respektoi rregulloren e parlamentit në seancën konstituive më 27 prill, 2017. Sipas akt-akuzës, ai njoftoi ish-Kryeministrin Guevski, i cili ndodhej në Vjenë, se Lidhja Social Demokrate do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Në atë çast, ish ministri i Arsimit Spiro Ristovski i thotë deputetit të VMRO-së, Kërsto Mukovskit, që ta hapte derën kryesore të Parlametit për të hyrë masa e njerëzve që po protestonin përjashta.

Gjykatësi theksoi edhe shprehjen e Gruevskit atëherë se “populli nuk duhej të rrijë me pantofla në shtëpi, por ta marrë fatin në duart e veta”. Gruevski vetë është arratisur në Hungari, pasi i dënua në Shkup për vepra të tjera penale.

Top Channel