Rritet numri i rasteve me Covid-19, shumë shtete të Bashkimit Europian rikthejnë kufizimet

25/07/2021 01:11

Në shumë vende të Evropës ku është hasur sërish rritje e numrit të rasteve me COVID-19, janë duke u shtrënguar masat dhe kufizimet në kuadër të luftës kundër pandemisë.

Pavarësisht programit të përhapur dhe intensiv të vaksinimit, rastet me COVID-19 të shkaktuara nga varianti më ngjitës, Delta, në vendet evropiane janë në rritje ndërsa kjo ka shtyrë që qeveritë të marrin masa të reja.

Gjermania paralajmëroi për rritje serioze të rasteve në muajt e ardhshëm
Rastet në Gjermani në fillim të muajit ishte nën 1.000 ndërsa nga 14 korriku numri filloi të rritet mbi këtë shifër. Më 14 korrik numri i rasteve ishte 1.548 ndërsa më 21 korrik arriti kulmin për muajin përkatës me 2.203 raste. Instituti Robert Koch (RKI) njoftoi se përqindja e variantit Delta në rastet e reja është ngritur në 84 për qind. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se është shqetësuese rritja e rasteve me COVID-19, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Situata paraqitet serioze edhe në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë
Në Belgjikë, ku rastet në javën e 22 marsit shënuan rritje dhe arritën deri në 5.000, shënuan ulje me masat dhe përshpejtimin e vaksinimit. Qeveria në maj dhe qershor shumicën e masave i lehtësoi, por në fillim të korrikut rastet sërish shënuan rritje.Sipas mesatares së të dhënave javore të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në javën e 15-21 korrik numri i rasteve të reja është rritur për 19 për qind duke arritur në 1.407.

Ndërkohë Holanda ka parë një rritje të rasteve të reja me Covid-19. Kjo ka shtyrë drejtuesit që të shtojnë masat për parandalimin e përhapjes së virusit. Gjithashtu edhe Spanja dhe Kroacia kanë shtuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në Spanjë ka probleme me disa rajone, ku numri i personave të vaksinuar nuk është në ritmet e duhura.

Nga rritja e rasteve të reja Greqia dhe Italia vendosën si masë paraqitjen e certifikatës së vaksinimit ose testit negativ për qëndrimin në restorante, bare apo dhe vende të tjera.

Top Channel