Fidan Hajdaraj, është një nga shqiptarët e mbijetuar të aksidentit tragjik të Kroacisë. Ai tregon për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu se ngjarja ndodhi 3 orë pasi kishin bërë pushim.
Ndërkohë nuk ka munguar solidariteti i shqiptareve. Nga Zagrebi ata janë nisur për t’i ndihmuar bashkatdhetarët që fatmirësisht shpëtuan nga kjo tragjedi.
Ai është shprehur se kanë qenë në gjumë kur ndodhi aksidenti në orën 6 të mëngjesit.
Sipas tij ka qenë një udhëtim normal, ku janë bërë pushime dhe ka pasur pika kontrolli.
Hajdaraj ka marrë pak dëmtime në trup, ndërsa fatmirësisht të lënduarit në spital janë jashtë rrezikut për jetën.
“Nuk mundem ta përshkruaj shumë mirë se ka ndodhur në 6 të mëngjesit, shumë herët shumica kanë qenë duke fjet, presim autoritetet me dhënë përgjigjen përfundimtare për shkakun. Nuk ishte i lehtë, pushim kemi bërë, pika kontrolli ka pasur vazhdimisht, nga ora 3 kishim pushim pastaj aksidenti ka ndodh në orën 6 të mëngjesit. Unë jam shumë mirë nuk kam lëndime, të gjithë sa jemi 15 veta nuk kemi lëndime të mëdha trupore. Të gjithë kanë panik, frikë, ka pas fëmijë por për fat të zotit shumica ia kanë dalë janë mirë. 10 persona nuk kanë mundur dot t’ia dalin, autoritet kroate janë treguar shumë profesionalë dua t’i falënderoj të gjithë, ndihmë kemi marrë 15 veta jemi akomoduar në stacionin policor kroat, pjesa tjetër në spitalin më të afërt, një pjesë në Zagreb, për momentin jemi duke pritur lajmet një përgjigje zyrtare nga ambasada e Kosovës. Ata që janë në spital janë jashtë rrezikut për jetën, është një lajm i mirë në këto çaste të vështira”, tha Hajdaraj.
Top Channel