Rrufetë shkatërrojnë shtëpitë në Angli, 70-vjeçarja goditet brenda në banesë!

24/07/2021 17:15

Rrufetë shkatërruan dy shtëpi në Hampshire të Anglisë mëngjesin e sotëm.

Temperaturat përvëluese ia lanë vendin shirave të furishëm e vërshimit të ujrave, por edhe shkarkesave të frikshme elektrike. Një 70-vjeçare ishte brenda banesës së saj kur ajo u godit nga rrufeja, por gruaja e moshuar shpëtoi mrekullisht dhe doli në kohë prej godinës që u përfshi nga flakët. Ekipet mjekësore që mbërritën me urgjencë në vendngjarje thanë se nuk ishte e nevojshme që ajo të shtrohej në spital.

Autoritetet vendase kanë lëshuar paralajmërim për përmbytje, të cilat do t’i japin fund të nxehtit që kishte pushtuar vendin. Zyra e meteorologjisë paralajmëroi për kujdes në rrugë duke thënë se erëra të fuqishme do të përfshijnë sidomos zonat bregdetare të vendit. Ajo lëshoi një paralajmërim të verdhë për pjesën më të madhe të Anglisë e Uellsit.

Ekziston rreziku që disa komunitete të mbeten të izoluara nga pjesa tjetër për shkak të rrugëve të përmbytura, e flitet dhe për ndërprerje të energjisë elektrike. Disa pjesë të Skocisë dhe Irlandën së Veriut nga ana tjetër, do të vazhdojnë të shijojnë një mot të butë e të ngrohtë. Stuhitë vijnë pas një javë të nxehtë e të thatë në Britani, ku të martën u shënuar temperatura më e lartë vitit, 32.2 gradë Celsius.

Top Channel