Me 600 km/h, një shpejtësi marramendëse që e bën më të shpejtin në botë, treni i ri që sapo debutoi në Kinë nuk duket sikur ecën, por sikur pluskon në ajër falë një fushe elektromagnetike që e bën praktikisht të rrëshqasë mbi shina.

I prodhuar nga kompania shtetërore, China Railway Rolling Stock Corporation, ai thuajse nuk dëgjohet kur kalon – kaq të ulët e ka nivelin e ndotjes akustike, ndërsa kërkon më pak mirëmbajtje sesa trenat e tjerë të shpejtësisë së lartë.

Një prototip i këtij treni i ishte paraqitur medias në 2019-tën. Hekurudhat e shpejtësisë së lartë gëzojnë përparesi në Kinën që synon t’i lidhë me tren shumicën e qyteteve të saj kryesore, me qëllimin të reduktohet koha dhe shpenzimet e nevojshme për të udhëtuar në vendin me popullsinë më të madhe në botë.

Aktualisht, një tren mesatar i shpejtësisë së lartë atje mund të lëvizë me rreth 350 km/ orë, ndërsa avionët fluturojnë me 800-900 km/ orë. Trenat si ky i prezantuar së fundi shpresohet se do të arrijnë të mbushin hapësirën kritike mes këtyre të dyjave.

Top Channel