Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian tha të enjten se ka nisur veprime ligjore kundër Hungarisë dhe Polonisë për diskriminim të komunitetit homoseksual (LGBT).
Komisioni Evropian tha se veprimet e tij kundër Hungarisë lidhen me një ligj të ri, që i ndalon shkollat të përdorin materiale që konsiderohen si promovuese të homoseksualitetit.
Veprimet kundër Polonisë, ndërkaq, lidhen me vendimin e disa rajoneve dhe komunave për ta shpallur veten “zona të lira nga ideologjitë e LGBT-së”.
“Komisioni po fillon procedura për shkelje kundër Hungarisë dhe Polonisë, që lidhen me barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”.
“Dy shtetet anëtare kanë dy muaj kohë për t’u përgjigjur argumenteve të paraqitura nga Komisioni”, tha KE-ja, duke paralajmëruar se dy vendet mund të referohen edhe në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian.
Në Hungari, ligji, i cili nga shumë vende të BE-së është konsideruar si sulm mbi të drejtat e komunitetit LGBT, ka shkaktuar protesta.
Në Poloni, gati 100 autoritete lokale kanë miratuar rezoluta që kundërshtojnë “ideologjinë e LGBT-së” – gjë që Qeveria polake thotë se nuk ka pasoja ligjore – ose kanë nënshkruar një “statut të familjes”, për të cilin aktivistët thonë se mbështet vetëm çiftet e martuara heteroseksuale./REL
Top Channel