Ish-zëvendës ministrja e Brendshme, Rovena Voda, është dënuar me arrest me burg për korrupsion.

Përgjimet e realizuara nga SPAK zbuluan se Voda i mori rreth 2 mijë euro avokates Florida Beu, për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme.

Por si e mbrojti avokatja ish zëvendës ministren, sot para trupit gjykues?

Avokati apeloi masën e arrestit shtëpiak, pasi “nuk ekziston rreziku të largohet apo t’i shmanget gjykimit”. Po ashtu, shton se nuk ka rrezik që Voda të fshehë provat, “pasi aktualisht nuk ushtron asnjë funksion publik”.

Ne kërkojmë revokimin e masës së sigurimit në baze të nenit 248/ të kodit procedurës penale pasi në vlerësimin tonë nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara nga neni 228, 229 për shkaqe dhe arsyet si vijojnë:

Në analizë të akteve të fashikullit konstatojmë se procedimi është regjistruar më date 16.03.2020. Në datat 17, 03, 24.03, 26.07 janë kryer përgjimet në bazë të të cilave prokuroria pretendon faktin penal dhe autorësinë. Pra jemi në kushtet që pas rreth 1 viti e një muaj prokuroria kërkon caktimin e masës së sigurimit.

Caktimi i masave të sigurimit e ka një qellim dhe funksion dhe ky qëllim është që në kuadër të hetimeve të mos ekzistojë rreziku të shkatërrohen prova, të mos t’i shmanget eventualisht ekzekutimit të vendimit, pra mos largohet dhe të mos kryejë të njëjtën vepër apo vepër tjetër penale. Me analizën e pa dënuar, aktualisht nuk ushtron atë funksion apo funksion tjetër publik që do të krijonte qoftë dyshimin se në mënyre të drejtpërdrejtë apo tërthortë të shkatërronte prova, nuk ka asnjë provë apo dyshim se mund të largohet.

Nga komunikimi me të mbrojturën,  parashtrimi i rrethanave të faktit është i ndryshëm dhe në një moment të dytë pasi dhe e mbrojtura prej nesh për shkak të impaktit publik që ka krijuar është në pamundësi objektive për të dhënë deklarime por paraprakisht vlerësojmë të themi që mbrojtura prej nesh nuk ka kryer asnjë vepër penale”.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, si fillim Beu i ka dhënë 1 mijë euro Vodës, duke theksuar se nuk do ta lejë me kaq, ku më pas i ka blerë edhe një aparat celular me çmim 550 euro dhe i ka dhënë një arkë me peshk.

Top Channel