Ish zv-ministrja e brendshme Rovena Voda ngeci në rrjetat e SPAK mbas përgjimeve intensive të nisura në 2019 ndaj një grupi trafikantësh, që pak ditë më parë i kushtoi lirinë dhe ish kryeprokurorit të Kukësit Edmond Karriqi, i cili gjithashtu u përgjua dhe doli që u pagua për të liruar disa të rinj për disa doza hashashi.
Rovena Voda nën arrest shtëpiak dyshohet se ushtroi ndikim të paligjshëm tek funksionarë të tjerë me qëllim punësimin për arsye përfitimi të Florida Beut , gjithashtu nën arrest shtëpiak së bashku me Majlinda Hasanin .
Kjo e fundit ka rolin e ndërmjetëses dhe sipas SPAK rezulton se shfrytëzoi njohjen me zyrtaren për të hapur një vend pune dhe për këtë arsye ato janë takuar në ministri me Vodën, tregojnë burimet për Top Channel.
Emri i Rovena Voda lakohet nga dy zonja, njëra prej të cilave është shoqe e ish-zyrtares së lartë ndërsa tjetra ishte e interesuar që të punësohej medoemos si specialiste në një nga dikasteret dhe gjithashtu ajo ëndërronte të ishte juriste në ministrinë e brendshme.
Por gjatë konkurrimit ajo u skualifikua teksa më pas shfaqen pakënaqësitë në telefon, ku ajo tregon se kishte paguar 2 mijë euro.
Të dyshuarat pritet të dalin para gjykatës antikorrupsion për tu njohur me masën e sigurisë që u shpall në mungesë të martën, ndërkohë që deri më tani për pak ditë kanë përfunduar nën akuze tre prokurorë, dhe dy ish-kryebashkiakë. Më e bujshmja është hetimi ndaj Fatos Tushes, ish-kryetar i bashkisë së Lushnjës, i cili del në përgjime duke porositur karburant për miqtë dhe po për ta ndikoi për dhënien e tenderit 24 milionë lekë një kompanie që nuk përmbushte kriteret.
Top Channel