Nga ndërtimi i porteve dhe aeroporteve, te “Korridori Blu”/ Rama liston përparësitë e mandatit të tretë. Papandreu: Keni luftuar për transparencë

14/07/2021 16:19

Kryeministri Edi Rama tha se jemi në fazën e fundit të finalizimit të ofrimit të shërbimeve plotësisht online për të gjithë qytetarët.

Rama, teksa është i pranishëm në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, tha se kjo gjë është shumë e rëndësishme pasi do të eliminohen korrupsionet e vogla që janë shqetësuese jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

“Kishim shumë shërbime që ishin online dhe mundësinë për të ndërvepruar me njerëzit. Tashmë jemi në fazën e fundit të finalizimit të ofrimit të shërbimeve plotësisht online për njerëzit. Kështu duam të kalojmë në një fazë duke mbyllur zyrat e shërbimit në vend pasi çdo zyrë shërbimi është në xhepat tonë. Kjo është shumë e rëndësishme pasi do të eliminohen korrupsionet e vogla që janë shqetësuese jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon”- tha kryeministri.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal Rama tha se na duhet një vizion e zgjidhje të përbashkëta duke përmendur këtu nevojë për të pasur një politikë të përbashkët energjetike.

 “Mendoj që sa më shumë të bëjmë në shtete tona, në rajon, kjo ka kufizimet e veta. Na duhet bashkëpunimi rajonal, vizion e zgjidhje të përbashkëta. Shpresoj që ky do të bëhet rrugëtimi i natyrshëm i Ballkanit për të patur sinergji mes qeverive. Është një shans i madh që të kemi një politikë të përbashkët energjetike për të qenë në gjendje të eksportojmë energjinë në mënyra të ndryshme. Kjo është shumë e mundur”- u shpreh Rama.

Ish-kryeministri Papandreou, ka vlerësuar Ramën për ndërtimin e sistemit online të marrjes së shërbimeve.

Kjo është një fushë e rëndësishme. Ju keni luftuar për transparencë”- u shpreh ai

I pyetur nga ish-kryeministri Papandreou, se cilat janë përparësitë kryesore në vitet në vijim të mandatit, Rama ka përmendur fusha si turizmi, energjetika, bujqësia dhe teknologjia.

Kryeministri shtoi se jemi në proces për ndërtimin e parqeve më të mëdha të energjisë diellore në Ballkan, po ashtu edhe ndërtimin e aeroportit të tretë ndërkombëtar në Vlorë. Po ashtu ai përmendi edhe ndërtimin e “Korridorit Blu” për të cilin tha se është hapur gara e dytë, pasi e para nuk pati sukses.

Top Channel