“Delta” i hap probleme Lojërave Olimpike të Tokios, nuk do të lejohen spektatorë në stadiume

12/07/2021 14:33

Rritja e numrit të infektuarve me koronavirus në Japoni ka shkaktuar një gjendje të jashtëzakonshme duke krijuar jo pak probleme në Tokio, qytetin pritës të Lojërave Olimpike.

Kjo situatë detyroi organizatorët të ndalojnë pjesëmarrjen e spektatorëve duke mos i lejuar të ndjekin nga afër atletët që garojnë kë këtë Olimpiadë.

Sekretari i kabinetit, Katsunobu Kato tha se: “U bëjmë thirrje njerëzve që t’i mbështesin atletët nga shtëpia”.

Këtë vit Lojrat Olimpike të Tokios do të organizohen nga data 23 korrik deri më 8 gusht, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.

Deri më tani shifrat tregojnë se Japonia ka regjistruar më shumë se 815,440 raste në total me Covid19 dhe gati 15,000 viktima.

Shifra të ulëta janë regjistruar edhe për sa i përket vaksinimit. 28 për qind e qytetarëve japonezë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Në një kohë kur sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti Delta i koronavirusit, është më ngjitës se variantet e mëparshme, Sidnej në Australi ka hyrë në izolim që prej dy javësh.

Sakaq qeveria e Izraelit vendit kampion për vaksinim tha se do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, për të rriturit me sistem të dobët imunitar.
Kompania Pfizer/BioNTech në SHBA thotë se planifikon të takojë sot zyrtarët e shëndetësisë për të diskutuar rreth autorizimit të dozës së tretë të vaksinës prodhuar prej saj.

Top Channel