Prokurorët e SPAK janë të sigurtë se ish kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste, përgjatë një viti hetimesh që e ekspozojnë duke kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve të një tenderi 23 milionë lekë.
SPAK këmbëngul se ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i kryebashkiakut.
Dosja që Top Channel disponon tregon se ish kryebashkiaku del në përgjime, duke komunikuar me bashkëpunëtorin e tij me detyrë: drejtor i ndërmarrjes së pasurisë publike, Flamur Peqini, edhe për furnizimin me karburant të automjeteve të të njohurve, ndonëse produkti është pronë shtetërore dhe duhej për nevojat e bashkisë.
Në një rast, djali i biznesmenit Ibrahim Lami e njofton se do të udhëtonte, kryebashkiaku përgjigjet, “do nxjerr drejtorin”.
Mbas këtij zotimi, porosinë e mbyll vartësi i tij, Flamur Peqini, me detyrë drejtor i ndërmarrjes së pasurive.
Episodi i tretë kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës. “Thuaji që fola me shefin”, përgjigjet Tushe.
Mes përgjimeve të nisura për të hetuar se si u skualifikuan dy kompani të tjera, një proces që angazhoi tetë vartës të kryebashkiakut, Tushe në një momenti i kërkon ndihmë mikut Lami, për të ndërhyrë për provimin e të bijës.
Këto detaje konsiderohen nga SPAK si një miqësi që çoi në përzgjedhjen me preferencë të kompanisë Euro Alb, administrator i së cilës, Bujas Murati, rezulton kushëri i Lamit.
Të tjerët që janë anëtarë të komisioni të vlerësimit të ofertave dhe të strukturës ku kryhen ankesat, flasin në telefon herë të qetë, sipas tyre ‘ka dalë garant FATOSI’ dhe herë të shqetësuar siç është momenti i Flamur Peqinit, që telefonon biznesmenin Lami dhe i thotë: “Bëje xixë kanalin se nesër vijnë ata të SPAK”.
Top Channel