Rojet jashtë “flinin gjumë”, i hyjnë në rezidencë: Vritet presidenti i Haitit!

07/07/2021 15:33

Ministri i Brendshëm haitjan njoftoi se presidenti i vendit është qëlluar për vdekje me armë zjarri brenda banesës së tij.

Ministri Claude Joseph deklaroi se një grup personash të armatosur mësynë rezidencën private të kreut të shtetit, Jovenel Moise dhe shtinë mbi të. Nga sulmi mbeti e plagosur dhe Zonja e Parë, Martine Moïse. në deklaratë thuhet se disa prej agresorëve, që ende nuk janë identifikuar, flisnin spanjisht.

Në muajin shkurt, politikanët e opozitës caktuan presidentin e tyre në përpjekje për ta detyruar Moisen 53 vjeçar, mandati 5 vjeçar i të cilit kishte përfunduar, që të largohej nga posti. Ajo lëvizje pati marrë dhe dritën jeshile të gjykatësit Joseph Mécène Jean-Louis.

Moise këmbëngulte se do të ishte president deri në shkurt të vitit 2022, duke u mbështetur mbi interpretim mjaft polemizues të Kushtetutës.

Ka pasur disa demonstrate e përleshje me policinë gjatë kësaj periudhe, megjithatë banorët e kryeqytetit Port-au-Prince,  kishin qëndruar përgjithësisht në shtëpi. Pretendimet e Moise për të qëndruar në pushtet i kishte mbështetur dhe SHBA. Ministri i brendshëm siguroi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e shtetit.

Top Channel